Familjet e dy izraelitëve të rrëmbyer nga Hamasi: Po jetojmë një makth
- Për agoninë që po kalojnë, për jetën që, siç thonë edhe ata vetë, tashmë u është bërë makth, folën në konferencë për shtyp në Athinë, familjarët e dy izraelitëve të rrëmbyer nga Hamasi gjatë festivalit më 7 tetor dhe që atëherë nuk kanë asnjë informacion nëse janë gjallë apo jo, njoftoi korrespondentja e MIA-s nga Athina.
Athinë, 6 nëntor 2023 (MIA) - Për agoninë që po kalojnë, për jetën që, siç thonë edhe ata vetë, tashmë u është bërë makth, folën në konferencë për shtyp në Athinë, familjarët e dy izraelitëve të rrëmbyer nga Hamasi gjatë festivalit më 7 tetor dhe që atëherë nuk kanë asnjë informacion nëse janë gjallë apo jo, njoftoi korrespondentja e MIA-s nga Athina.
Nëna dhe vëllai i 22-vjeçarit Eviatar dhe nëna dhe daja i Almogut, dy të rinj peng të organizatës terroriste, ndodhen që prej ditës së djeshme në Greqi, janë takuar me presidenten greke Katerina Sakellaropulu dhe kryetarin e Parlamentit, Konstantinos Tasulas, ndërsa pasditen e sotme ata mbajtën edhe konferencë për shtyp, me shpresën se mesazhi i tyre do të përhapet më tej që të dashurit e tyre të kthehen në shtëpi.
“Po jetojmë një makth, jeta jonë është bërë makth, ndërsa makthi është realiteti ynë”, theksuan familjet para gazetarëve grekë dhe korrespondentëve të huaj në Athinë, duke thënë se “nëse duhet do të nënshkruajnë kontratë edhe me djallin, vetëm që të dashurit e tyre të kthehen në shtëpi”.
Nëna e Almogut, me lot në sy dhe duke qarë, tregoi se djalin e saj e ka parë për herë të fundit të premten, mbrëmjen kur ai shkoi në festival me shokun e tij.
"Të shtunën u zgjova në 7.45 kur më thirri. Ai dukej i përqendruar dhe serioz: Mami, ka raketa dhe të shtëna kudo. Nuk e di se çfarë po ndodh, do të të telefonoj më vonë. Mami të dua. Dhe pastaj ndeza televizorin dhe pashë që kishte një sulm terrorist në festivalin", shpjegoi nëna.
Më pas vajza e saj postoi foto të djalit në rrjetet sociale dhe tre orë më vonë iu dërgua një video se ai ishte në mesin e pengjeve të Hamasit.
"Më është shkatërruar jeta. Djali im shkoi në një festë dhe e gjeti veten të rrëmbyer në Gaza. Jeta jonë është bërë një makth dhe ky makth është realiteti ynë, theksoi nëna, ndërsa daja i të rrëmbyerit tha se ata kanë një qëllim dhe të vetëm, që të kthejnë pengjet në shtëpi.
Pothuasje identik është edhe fati i 22-vjeçarit Eviatar, i cili me tre shokë të tjerë shkoi në festivalin, prej tyre dy janë vrarë, ndërsa dy janë rrëmbyer.
Nëna dhe vëllai i djalit thanë se në orën 6:30 të mëngjesit të 7 tetorit, ata u zgjuan nga sirenat, që do të thoshte se duhej të strehoheshin menjëherë dhe i dërguan një mesazh Eviatarit, i cili u përgjigj se festivali ka mbaruar, ata po shkonin drejt automjetit, se gjithçka ishte në rregull dhe të mos shqetësohen.
Menjëherë pas kësaj ata kanë humbur çdo kontakt me të, por kanë mësuar edhe për sulmin terrorist.
Ata kanë kërkuar ndihmë përmes rrjeteve sociale dhe ashtu si në rastin e të rrëmbyerve të tjerë, kanë marrë video nga Hamasi, në të cilat ndodhej 22-vjeçari.
"Nga ai moment po jetojmë një makth. Kjo është çmenduri. Prej 30 ditësh nuk dimë asgjë për gjendjen e tij mendore dhe shëndetësore, nëse është duke ngrënë, ka thënë nëna, ndërsa vëllai i djalit ka treguar se sa i emocionuar dhe i lumtur ka shkuar në festivalin.
Familjet theksuan se nuk kanë asnjë problem me palestinezët dhe duan të jetojnë në paqe me ta, e në këtë rast bëhet fjalë për Hamasin.
Për vizitën në Greqi, për takimet dhe kontaktet që kanë pasur, ata thanë se kishin shpresë se mund t'ju ndihmonte. ls/
Foto: MIA