• e enjte, 26 dhjetor 2024

EVN dhe Makpetroll do të instalojnë 10 mbushës të shpejtë për makina elektrike në mbarë Maqedoninë

EVN dhe Makpetroll do të instalojnë 10 mbushës të shpejtë për makina elektrike në mbarë Maqedoninë

Shkup, 30 prill 2024 (MIA)-  Në pikën e karburantit Makpetroll në Vizbeg nga sot është futur në përdorim mbushës i shpejtë për makina elektrike. Kjo pajisje është e para nga dhjetë mbushësit e rinj të shpejtë që në partneritet me EVN do të instalohen në lokacione të frekuentuara në mbarë Maqedoninë.

“EVN bëri përpjekjet më të hershme për zhvillimin e elektromobilitetit në Maqedoni. Në 7 vitet e fundit kemi instaluar rreth 40 mbushës elektrik të makinave në ambiente publike në 17 qytete të vendit. Përpjekjet tona vazhdojnë me një fokus të fortë në mbushjen e shpejtë, si parakusht kryesor për lëvizje të lehtësuar të makinave elektrike në distanca më të mëdha. Bashkëpunimi me Makpetrollin është shumë i rëndësishëm për ne – ne ndajmë vlera të ngjashme, dhe përmes rrjetit të tyre të përhapur të pompave në mbarë vendin, arrijmë të afrohemi më shumë me përdoruesit”, tha Volfgang Maier, kryetar i Bordit drejtues të EVN Maqedoni.

Në vitin 2022, në pikën e karburantit Makpetroll afër pikës kufitare “Bogorodica”, në bashkëpunim me EVN-në gjithashtu është instaluar mbushës për makina elektrike. Në këtë lokacion tashmë është instaluar edhe një central fotovoltaik që prodhon energji elektrike nga burime të rinovueshme.

“Kujdesi për mjedisin është ndër synimet strategjike të Makpetrollit dhe është përfshirë në planin tonë vjetor përmes “Agjendës së Gjelbër”. Në kuadër të këtyre aktiviteteve, kompania do të investojë në mbrojtjen e mjedisit në mënyra të ndryshme. Instalimi i 10 mbushësve të shpejtë do të kontribuojë në zhvillimin e elektromobilitetit në vend dhe do të na afrojë me format moderne të transportit. Është veçanërisht e rëndësishme që ne po e zbatojmë këtë projekt në partneritet, së bashku me EVN. Bashkëpunime të tilla janë jashtëzakonisht domethënëse, nëse jo dhe vendimtare, për realizimin e të ardhmes së gjelbër të Maqedonisë”, tha Andreja Josifovski, kryetar i Bordit drejtues të Makpetroll.

Mbushësit kanë konektorë DC të tipit CCS me fuqi 150 kË dhe janë të destinuar për mbushje të shpejtë të një ose dy makinave elektrike. Modeli është ndër më efikaset në klasën e tij, mundëson mbushje të shpejtë dhe të lehtë me një kohëzgjatje prej 30-40 minuta në varësi të llojit të automjetit.

EVN dhe Makpetroll e demonstrojnë kujdesin e tyre për mjedisin në investime specifike në fushën e energjisë së gjelbër. Të dyja kompanitë, përveç projekteve të elektromobilitetit, instalojnë edhe centrale fotovoltaike për nevojat e objekteve të tyre. EVN po përmirëson flotën e saj të makinave elektrike dhe po investon në prodhimin e energjisë së rinovueshme, ndërsa Makpetroll do të vazhdojë ta zgjerojë rrjetin e autogazit dhe metanit (KPG) duke investuar në objektet e shitjes me pakicë.

 

QËNDRONI TË LIDHUR