• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Eskobar: Kurti e refuzoi propozimin për dinarin

Eskobar: Kurti e refuzoi propozimin për dinarin

Uashington, 15 mars 2024 (MIA) - Zëvendës ndihmësi i sekretarit shtetëror amerikan Gabriel Eskobar deklaroi se nuk ka arritur ta bindë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti që ta pezullojë vendimin për ndalesën e përdorimit të valutës serbe në Kosovë përderisa Bashkimi Evropian, SHBA-ja dhe Qeveria e Kosovës nuk gjejnë zgjidhje afatgjate. 

"Kryeministri tha se ai është vendim i një institucioni të pavarur", tha Eskobari në intervistë për Radion Evropa e Lirë në fund të vizitës së tij në Kosovë, të cilën e filloi më 13 mars. 

Eskobari megjithatë tha se ende shpreson se zgjidhje do të gjendet të martën, kur në Bruksel do të takohen negociatorët e Kosovës dhe Serbisë. 

Ai shtoi se nuk ka marrë kurrfarë garancie nga kryeministri i Kosovës lidhur me përmirësimin e draft-statutit për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë.

Eskobari e pranoi se ka, siç tha, "shumë zhgënjim nga kjo Qeveri e Vetëvendosjes, jo vetëm në Uashington, por edhe në Bruksel, Romë, Berlin dhe Paris". fc/

Fotografia: EPA

QËNDRONI TË LIDHUR