• e shtunë, 23 nëntor 2024

Eskobar ka mbërritur për vizitë dyditore në Shqipëri

Eskobar ka mbërritur për vizitë dyditore në Shqipëri

Tiranë, 11 prill 2023 (MKIA) - Integriteti i zgjedhjeve të 14 majit dhe pastërtia e kandidatëve ishin në qendër të diskutimeve të zëvendësndihmës Sekretarit amerikan të shtetit Gabriel Eskobar me presidentin Bajram Begaj, kryeministrin Edi Rama, dhe ministren e Jashtme Olta Xhaçka.

Ora njuz ka njoftuar se i dërguari për Ballkanin Perendimor, gjatë vizitës në Tiranë, do të nënvizojë rëndësinë e zgjedhjeve të ardhshme vendore në Shqipëri, nevojën për të zbatuar rekomandimet e ODIHR-it dhe nevojën që partitë politike dhe liderët të sigurojnë që kandidatët të përmbushin kërkesat e ligjit si dhe pritshmëritë e qytetarëve shqiptarë për integritet të lartë.

Gjatë takimit me Eskobar, kreu i shtetit Bajram Begaj vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera e të partneritetit strategjik midis dy vendeve dhe rolin e pazëvendësueshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për garantimin e paqes dhe sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Begaj vlerësoi mbështetjen që SHBA dhe personalisht Eskobar, i kanë dhënë procesit të negociatave mes Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Presidenti ka theksuar se normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, me në qendër njohjen e tyre reciproke, është një proces me ndikim të madh rajonal, si në kuadër të aspekteve të sigurisë ashtu edhe të zhvillimit të qendrueshëm.

Gjatë takimit, një vëmendje të veçantë mori çështja e sigurisë kibernetike dhe kërcënimeve hibride, pas sulmeve që u ndërmorën ndaj vendit tonë gjatë vitit të kaluar.

Presidenti Begaj, shprehu mirënjohjen për mbështetjen dhe asistencën e agjencive të specializuara amerikane, duke i konsideruar të një rëndësie jetike dhe vendimtare për rritjen e kapaciteteve dhe aftësive kibernetike të Shqipërisë.

Para se të shkonte në zyrën e Kreut të Shtetit, zyrtari i lartë amerikan u takua me kryeministrin Rama në zyrën e këtij të fundit.

Axhenda e Escobar në Shqipëri vetëm pak ditë para nisjes së fushatës, pritet të vijojë të mërkurën me takimin e përfaqësuesve të partive politike. mb/

QËNDRONI TË LIDHUR