• e enjte, 26 dhjetor 2024

Eskobar e përshëndeti vendimin e Qeverisë së Kosovës për ndarjen e pronës Manastirit të Deçanit

Eskobar e përshëndeti vendimin e Qeverisë së Kosovës për ndarjen e pronës Manastirit të Deçanit

Prishtinë, 13 mars 2024 (MIA) - I dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Eskobar, pas takimit me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se e ka mirëpritur vendimin e Qeverisë së Kosovës lidhur me Manastirin e Deçanit.

“Është shumë i rëndësishëm vendimi i sotshëm për Manastirin. Ishte hap i vështirë, por i domosdoshëm. I falënderojmë institucionet e Kosovës për këtë hap”, ka thënë i dërguari i SHBA-së.

Eskobar ka ftuar Serbinë që të japin llogari për sulmin terrorist të 24 shtatorit.

“E ftojmë Serbinë që të gjithë ata që janë përgjegjës të dalin para drejtësisë dhe të japin llogari të plotë për atë sulm”, ka thënë ai, duke shprehur shqetësimin e tij.

Ai ka thënë se do të ketë takime të ndryshme gjatë qëndrimit të tij në Kosovë, duke përmendur se rregullorja e re e BQK-së është një nga temat të cilat do t’i diskutojë.

“Ditët e ardhshme do t’i kalojë duke vizituar vendin tuaj, të takohem me njerëzit sepse ka shumë punë për të diskutuar, sfidat nëpër të cilat po kalojmë tani, duke përfshirë vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës, për të gjetur mënyra se si mund të ecim para me dialogun, që përfshin Asociacionin por jo vetëm atë”, ka theksuar Eskobar. mb/

QËNDRONI TË LIDHUR