• e enjte, 26 dhjetor 2024

Eskobar: ASK është obligim që duhet të zbatohet, propozimi evropian nuk nënkupton njohje reciproke

Eskobar: ASK është obligim që duhet të zbatohet, propozimi evropian nuk nënkupton njohje reciproke

Bruksel, 28 shkurt 2023 (MIA) - I dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Eskobar, ka thënë se Asociacioni i Komunave Serbe është obligim që duhet të zbatohet, siç janë marrë vesh. Ai në një intervistë virtuale nga Brukseli tha se propozimi evropian për Kosovën nuk është për njohje reciproke, por për normalizimin e marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit. 

"Është e rëndësishme që marrëdhëniet në rajon të jenë të shëndosha dhe të shmangen ngjarjet e viteve nëntëdhjetë, dhe në përputhje me rrethanat të gjitha vendet e rajonit duhet të njihen dhe të kenë marrëdhënie pozitive", shtoi Eskobar.

"Formimi i ASK-së është detyrim ligjor që duhet zbatuar. Konkluzioni i Këshillit Evropian është se duhet bërë dhe është gjithashtu pjesë e politikës amerikane. Presim që të formohet gjithçka për çka janë marrë vesh. Të dyja palët duhet të gjejnë kanale për bashkëpunim dhe ne presim që të formohet", tha Eskobar i pyetur nga gazetarët për të shpjeguar se çfarë nënkupton ajo që kishte thënë se nëse Prishtina nuk e formon ASK-në, këtë do ta bëjë SHBA-ja.

Siç tha, kur flisni për ASK, mendoni në komuna në të cilat serbët janë shumicë dhe një nivel të caktuar të vetëqeverisjes që nuk do të përzihet në rendin kushtetues dhe strukturat juridike.

"Ne do të dëshironim që ato asociacione të bashkohen dhe të punojnë së bashku për të gjetur zgjidhje ekonomike për të mirën e asociacioneve serbe. Nuk ka asgjë të tmerrshme këtu", tha Eskobar.

Siç tha, ajo për çka janë marrë vesh dje të dyja palët i vendos kushtet për normalizimin e marrëdhënieve. 

"Sinqerisht, ka pengesa, por shpresoj se do të gjendet një mekanizëm për të zbatuar të gjitha këto, dhe kjo përfshin edhe ASK-në, por edhe mosmarrëveshjet si targat, letërnjoftimet dhe gjëra të tjera", shtoi Eskobar.

Sipas tij, është me rëndësi të nisen nga pikëpamja se të dyja palët kanë hyrë me qëllim të mirë në diskutim.

"Pra, pritshmëria jonë është që nuk duam të përdorim 'karota dhe shkopinj' për t'i nxitur ata të vazhdojnë më tutje. Qëllimi është që të dyja palët të kenë marrëdhënie paqësore dhe të parashikueshme, por kjo hap gjithnjë e më shumë dyer për të dyja palët dhe integrimin në BE dhe integrimet transatlantike. Shpresojmë që palët t'i përmbushin detyrimet e tyre", tha Eskobar. fc/

QËNDRONI TË LIDHUR