• e hënë, 15 dhjetor 2025

Erdogani pas takimit me Putinin: Paqja në Ukrainë nuk është larg

Erdogani pas takimit me Putinin: Paqja në Ukrainë nuk është larg

Ankara, 13 dhjetor 2025 (MIA) - Presidenti turk, Rexhep Taip Erdogandeklaroi se angazhimi i mëtejshëm diplomatik së shpejti mund t'i ndjek përpjekjet e udhëhequra nga Moska dhe Uashingtoni, duke shprehur optimizëm në lidhje me perspektivat për paqe në Ukrainë pas bisedimeve me presidentin rus, Vlladimir Putin.

Në deklaratë për gazetarët pas kthimit nga Turkmenistani, Erdogan tha se Ankaraja shpreson të bashkëpunojë me presidentin amerikan, Donald Tramp për të vlerësuar një plan të mundshëm paqesor.

"Pas këtij takimi me Putinin, shpresojmë të kemi mundësinë të diskutojmë planin paqesor edhe me presidentin amerikan, Tramp. Paqja nuk është larg, mund ta shohim", tha Erdogan, duke u përqëndruar në takimin e tij dypalësh me liderin rus në Turkmenistan.

Erdogani theksoi se takimi i tij me Putinin u përqendrua në konfliktet aktuale dhe iniciativat diplomatike të nisura me pjesëmarrjen e Trampit.

"I vlerësuam kontributet që vendi ynë mund të japë në përpjekjet paqesore", tha ai, duke shtuar: "Ne e shohim pozitivisht dialogun e iniciuar nga zoti Tramp".

Ai theksoi se të gjitha palët e përfshira në procesin paqesor në Ukrainë e kuptojnë qartë pozitën e Ankarasë.

"Kryesisht diskutuam për luftën dhe përpjekjet për paqe. Z. Putin, si dhe aktorët tjerë, e di shumë mirë se ku qëndron Turqia në këtë çështje", shtoi Erdogan.

Duke folur për sigurinë rajonale, Erdogan paralajmëroi se Deti i Zi nuk duhet të shihet si një arenë rivaliteti.

"Nuk do t'i sjellë dobi Rusisë apo Ukrainës. Të gjithë kanë nevojë për liri lundrimi dhe siguri në Detin e Zi", tha ai. bsh/

QËNDRONI TË LIDHUR