• e shtunë, 23 nëntor 2024

Erdogani i bëri thirrje botës islame të bashkohet në mbështetje të popullit palestinez dhe libanez

Erdogani i bëri thirrje botës islame të bashkohet në mbështetje të popullit palestinez dhe libanez

Stamboll, 4 nëntor 2024 (MIA) - Një nga përgjigjet më të mira të "agresionit sionist" ndaj Gazës dhe Libanit  do të ishte që sa më shumë vende ta njohin shtetin e Palestinës, deklaroi sot presidenti turk Rexhep Taip Erdogan.

Ai theksoi nevojën thelbësore që bota islame t'i lë anash dallimet dhe të bashkohet në mbështetje të popullit palestinez dhe libanez në atë që tha ai, luftën e drejtë kundër agesionit izraelit, lajmëroi Anadolia.

Duke folur në hapjen e seancës së 40-të të Komitetit të Përhershëm për Bashkëpunim Ekonomik dhe Tregtar (COMCEC) të Organizatës për Bashkëpunim Islamik në Stamboll, Erdogani sërish theksoi se në Gazë ndodh një nga gjenocidet më brutale të shekullit.

"Regjimi sionist dhe mbështetësit e tij për 13 muaj kryejnë çdo lloj shtypje dhe gjenocidi, por nuk arritën t'i nënshtrojnë palestinezët", tha Erdogan.

Ai shtoi se Turqia, me mbështetjen e autoriteteve egjiptiane, ka dorëzuar më shumë se 85.000 tonë ndihmë humanitare në Gaza dhe se "një nga përgjigjet më të mira të agresionit sionist ndaj Gazës dhe Libanit do të jetë sa më shumë vende ta njohin shtetin e Palestinës".

Agjencia turke përkujton se Izraeli e vazhdon ofensivën në Rripin e Gazës pas sulmit të vitit të kaluar të Hamasit edhe krahas rezolutës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara e cila kërkon armëpushim të menjëhershëm. Prej atëherë, sipas autoriteteve shëndetësore vendase, më shumë se 34.300 njerëz, kryesisht gra dhe fëmijë, janë vrarë, ndërsa më shumë se 102.000 janë lënduar.

Izraeli, gjithashtu, përballet me akuzë për gjenocid para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për shkak të luftës së tij vdekjeprurëse kundër Rripit të Gazës, shton Anadolia. sa/

foto: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR