• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Erdogan: Turqia ende dëshiron të ndërmjetësojë në organizimin e negociatave paqësore mes Rusisë dhe Ukrainës

Erdogan: Turqia ende dëshiron të ndërmjetësojë në organizimin e negociatave paqësore mes Rusisë dhe Ukrainës

Ankara, 8 mars 2024 (MIA) - Turqia edhe më tej është e gatshme të organizojë dhe zhvillojë një samit paqeje midis Rusisë dhe Ukrainës. Kështu deklaroi presidenti turk Rexhep Taip Erdogan pas bisedës me homologun e tij ukrainas Volodimir Zelenski në Stamboll, raportojnë mediat turke.

"Për fat të keq, iniciativa jonë diplomatike e ndërmarrë në vitin 2022 në Stamboll nuk dha rezultat. Lufta mes Ukrainës dhe Rusisë duhet të përfundojë me negociata. Jemi të gatshëm të mbajmë një takim paqësor në samitin ku do të marrë pjesë edhe Rusia”, tha Erdogani, cituar nga TV shtetëror TRT-Haber.

Presidentët e Turqisë dhe Ukrainës, Rexhep Taip Erdogan dhe Volodimir Zelenski sot u takuan në Stamboll. Takimi filloi rreth orës 19:30 sipas kohës turke në pallatin Dollmabahçe. Takimi i dy liderëve zgjati rreth një orë e gjysmë, njofton televizioni turk NTV. 

Erdogani sot deklaroi edhe se me liderin ukrainas Volodimir Zelenski ka biseduar për marrëveshjen për grurin dhe situatën e sigurisë në Detin e Zi.

“Ne kemi diskutuar në detaje për çështjet që kanë të bëjnë me luftën. Në kuadër të partneritetit tonë strategjik, do të vazhdojmë të mbështesim Ukrainën, integritetin e saj territorial. Jemi të gatshëm të ndihmojmë në rindërtimin e tij. Kemi biseduar gjithashtu edhe për situatën e sigurisë në Detin e Zi dhe marrëveshjet e drithit të cilat kontribuojnë shumë në sigurinë ushqimore dhe kanë bërë të mundur dërgimin e miliona tonëve drithë në vendet që kanë nevojë”, tha Erdogani. qa/

Foto: arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR