• e shtunë, 23 nëntor 2024

Erdogan në Bagdad: Marrëveshjet e nënshkruara janë një pikë kthese në marrëdhëniet mes Turqisë dhe Irakut

Erdogan në Bagdad: Marrëveshjet e nënshkruara janë një pikë kthese në marrëdhëniet mes Turqisë dhe Irakut

Bagdad, 22 prill 2024 (MIA) - Presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, pas takimit në Bagdad me kryeministrin irakian, Mohamad Shia al-Sudani, tha se Marrëveshja Kornizë Strategjike e nënshkruar ndërmjet Turqisë dhe Irakut është një "udhërrëfyes i fortë", transmeton Anadolia.

"Unë besoj se vizita ime dhe marrëveshjet që sapo janë nënshkruar do të përfaqësojnë një pikë kthese të re në marrëdhëniet midis Turqisë dhe Irakut," tha Erdogani në konferencë për shtyp pas takimit me kryeministrin irakian Al Sudani në Bagdad, kryeqyteti i Irakut.

Pas takimit mes Erdoganit dhe Al Sudanit, u nënshkrua një memorandum mirëkuptimi në lidhje me bashkëpunimin e projektit për rrugë zhvillimore midis Irakut, Turqisë, Katarit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe. (EBA)

“Marrëveshja kornizë strategjike për bashkëpunim të përbashkët që ne nënshkruam me kryeministrin (Al-Sudani) përfaqëson një udhërrëfyes të fortë", tha Erdogan.

Duke iu referuar takimeve me kryeministrin Sudani dhe presidentin e Irakut Abdul Latif Rashid, Erdogan tha se bashkëpunimi në fushën e sigurisë dhe luftës kundër terrorizmit është një nga pikat më të rëndësishme të rendit të ditës.

Ai shtoi se Turqia e mirëpriti shpalljen e PKK-së si një organizatë të ndaluar në Irak. “Ne diskutuam për hapat e mundshëm të përbashkët kundër organizatës terroriste PKK dhe degëve të saj, të cilat synojnë turqit nga territori i Irakut”, nënvizoi Erdogan.

Të dy liderët iu referuan edhe sulmeve izraelite në Gazë.

“Kam biseduar me kolegët e mi irakianë për pasojat e dhunës izraelite në Palestinë në rajonin tonë dhe u konsultova për hapat e përbashkët që mund të ndërmarrim”, tha Erdogan.

Në kontekstin e rritjes së tensioneve mes Iranit dhe Izraelit, Erdogan u kujtoi të gjitha palëve relevante që të shmangin hapat që çojnë në përshkallëzim të tensioneve.

Vizita e Erdoganit në Irak vazhdon në Erbil. ls/

Foto: EPA

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR