Erdogan: Duhet t'i mbrojmë fëmijët tanë nga ideologjitë perverse
- Presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan e shënoi fillimin e vitit të familjes turke në Turqi me paralajmërim të masave për rritje të natalitetit.
- Post By Arta Bunjaku
- 09:41, 14 janar, 2025
Ankara, 14 janar 2025 (MIA) - Presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan e shënoi fillimin e vitit të familjes turke në Turqi me paralajmërim të masave për rritje të natalitetit.
Duke e cituar "të vërtetën historike se një familje e fuqishme e hapë rrugën për një shtet të fuqishëm", Erdogan prezantoi një sërë masash financiare për mbështetje të familjeve të reja.
Ai tentoi ta shfaqë lëvizjen LGBTK+ si pjesë e një komploti të huaj, qëllimi i të cilit është minimi i Turqisë. "Përgjegjësi e jona e përbashkët është t'i mbrojmë fëmijët dhe të rinjtë tanë nga trendet e dëmshme dhe ideologjitë perverse. Trendet neoliberale kulturore i kalojnë kufijtë dhe depërtojnë në të gjitha pjesët e botës. Ato, gjithashtu, çojnë drejt përforcimit të lëvizjes LGBT dhe lëvizjeve të tjera", porositi Erdogan.
"Kritikat ndaj njerëzve LGBT menjëherë heshten, njejtë si edhe kritika legjitime e zionizmit. Secili që e mbron natyrën dhe familjen u nënshtrohet shtypjeve të ashpra", theksoi ai.
Parakalimet e krenarisë janë të ndaluara në Turqi prej vitit 2015, ndërsa ata të cilët dëshirojnë të marrin pjesë, përballen me gaz lotsjellës dhe barrikada policore.
Duke folur për rënien "alarmante" të shkallës së rritjes së popullsisë, Erdogan përkujtoi kërkesën e tij të vitit 2007 që familjet të kenë së paku tre fëmijë.
Ai, gjithashtu, shprehi shqetësim për shkallën e rritur të shkurorëzimeve dhe faktin se njerëzit më vonë martohen. Shkalla vjetore e rritjes së popullatës në Turqi ra prej 2,53 për qind në vitin 2015 në 0,23 për qind vitin e kaluar.
"Nëse nuk i ndërmarrim masat e domosdoshme, problemi do të arrijë nivele të pakthyeshme. Në një mjedis të tillë, humbja e popullatës është e pashmangshme", deklaroi Erdogan.
Në mënyrë që të luftojë kundër kërcënimit për familjet, Erdogan prezantoi politika që janë kredi pa normë interesi për të rinjtë, benefite të përmirësuara monetare për prindërit e foshnjave, mbështetje financiare, këshilldhënëse dhe banesore për nxitje të familjeve të reja dhe kujdes pa pagesë apo të lirë për fëmijët. ab/
Foto: МIА arkivi