El-Kalut: Kampi i refugjatëve Xhabalia në Gazë është shkatërruar plotësisht nga bombardimet izraelite
- Drejtori i Autoritetit të Mbrojtjes Civile në Gazë, Ahmad al-Kalut, sot deklaroi se kampi i refugjatëve Xhabalia është shkatërruar plotësisht nga bombardimet izraelite. Në sulm, siç bëri të ditur Hamasi, humbën jetën të paktën 50 persona.
- Post By Ajrije Rexhepi
- 16:28, 31 tetor, 2023
Gazë, 31 tetor 2023 (MIA) - Drejtori i Autoritetit të Mbrojtjes Civile në Gazë, Ahmad al-Kalut, sot deklaroi se kampi i refugjatëve Xhabalia është shkatërruar plotësisht nga bombardimet izraelite. Në sulm, siç bëri të ditur Hamasi, humbën jetën të paktën 50 persona.
"Këto ndërtesa janë shtëpi për qindra njerëz. Forcat ajrore pushtuese i shkatërruan me gjashtë bomba të prodhimit amerikan. Kjo është masakra e fundit e kryer nga agresori izraelit në Rripin e Gazës", deklaroi El-Kalut për gazetarët para spitalit Kan Junis", transmeton Al Xhezira.
Ai i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare të veprojë menjëherë për të ndaluar Izraelin, "para se të jetë tepër vonë".
Autoritetet e Hamasit deklaruan se në sulmin ajror izraelit në kampin e refugjatëve humbën jetën ose janë plagosur rreth 400 njerëz, duke përfshirë një numër të madh gra dhe fëmijë.
Nga spitali indonezian në Gazë thotë se numri i viktimave vazhdimisht është duke u numëruar. Spitali do të jetë plotësisht i mbyllur nesër në mbrëmje për shkak të mungesës së karburantit, deklaroi drejtori i spitalit.
Foto: Arkivi i MIA-s