• e shtunë, 23 nëntor 2024

Ekspozitë me rastin e ditëlindjes së Nënë Terezës në Prishtinë

Ekspozitë me rastin e ditëlindjes së Nënë Terezës në Prishtinë

Prishtinë, 26 gusht 2024 (MIA) - Shoqatat e Kosovës "Organizata Shqiptaria" dhe "Artistët për Artistët", së bashku me Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut nga Shkupi, sot hapën manifestimin “Ditët e Nënë Terezës”, me ekspozitë në qendër të kryeqytetit të Kosovës për nder të ditëlindjes së shenjtores dhe fituesit të Çmimit Nobel për Paqe, njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.

Ekspozita është hapur në sheshin “Nënë Tereza” në qendër të Prishtinës, ndërsa  qëllimi i saj, sipas organizatorëve, është “të kujtohet ajo dhe kontributi i saj për popullin shqiptar”.

Kryetari i organizatës “Artistët për Artistët”, Veton Gusia për mediat deklaroi se populli shqiptar duhet të ndjekë humanizmin e bashkatdhetares së tij, nobelistes Gonxhe Bojaxhiu dhe ta ndajë atë humanizëm “me njëri-tjetrin, me familjen, me kombin dhe shtetin”.

Përfaqësuesi i shoqatës “Organizata Shqiptaria”, Basri Beka, tha se trashëgimia e figurave të rëndësishme duhet të ruhet për brezat e ardhshëm, ndërsa Don Lush Gjergji nga Ipeshkvia e Kosovës tha se përmes kontributit të Nënë Terezës, “bota po e sheh ndryshe popullin shqiptar”.

Ipeshkëvia Prizren-Prishtinë, në bashkëpunim me Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve nga Shkupi, sonte do të organizojë Akademinë Solemne me rastin e ditëlindjes së Shën Nënë Terezës, me të cilën do të hapë solemnisht manifestimin “Ditët e Nënë Terezës”, e cila do të zgjasë deri më 5 shtator, kur të përfundojnë 27 vjet nga vdekja e humanitares me famë botërore me origjinë nga Shkupi. ls/

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR