• e shtunë, 23 nëntor 2024

Ekspertët paralajmërojnë për "gabim njerëzor" gjatë zgjedhjeve në Belgjikë

Ekspertët paralajmërojnë për

Bruksel, 28 qershor 2024 (MIA) - Ekspertët përgjegjës për kontroll të rregullsisë për zgjedhjet për anëtarë të Parlamentit Evropian dhe parlamentet rajonale në Belgjikë, që u mbajtën më 9 qershor, vlerësuan se si rezultat i "gabimit njerëzor" të disa të rinjve të moshës prej 16 dhe 17 vjet u ishte mundësuar të votojnë përveç se në zgjedhjet evropiane, edhe në zgjedhjet federale dhe rajonale. 

Në këto zgjedhje për anëtarë të Parlamentit Evropian në Belgjikë, kufiri i moshës për marrjen e të drejtës së votës ishte ulur nga 18 vjet në 16 vjet. Por, ekspertët kanë konstatuar se një pjese të votuesve të moshës prej 16 dhe 17 vjet u ishin dhënë kartela elektronike "të gabuara", që u ishte mundësuar të votojnë edhe për zgjedhje të deputetëve federalë dhe rajonalë, edhe pse kishin të drejtë vote vetëm në zgjedhjet evropiane. 

Gjatë kontrollit të rregullsisë së zgjedhjeve, ekspertët u fokusuan kryesisht në votimin elektronik të përdorur në Rajonin e Brukselit, në rreth gjysmën e qendrave të votimit në Flandri dhe në dy qendrat e votimit në pjesën gjermanishtfolëse të Belgjikës në Valoni. Gjatë ekspertizës janë kontrolluar vetëm një numër i vogël i fletëve të votimit në letër të përdorura në qendrat e votimit ku ka pasur mënyrë tradicionale të votimit, për çka, sipas ekspertëve, nuk është e mundur të vlerësohet nëse parregullsitë e konstatuara kanë ndikuar në përgjithësi në rezultatet e zgjedhjeve në vend.

Politikologu Xheremi Dodenj nga Universiteti në Namyr në një emision "Mëngjesi i parë" në televizionin shtetëror RTBF, që emeton program në gjuhën franceze, deklaroi se vlerësimi ishte bërë mbi mostrën e analizuar, gjegjësisht se ekspertët nuk mundën të bëjnë kontroll të votave elektronike të të gjithë personave të rinj të moshës prej 16 dhe 17 vjet. 

Sipas Dodenj, vlerësohet se në rajonin flaman Haselt kartela elektronike "të gabuara" kanë marrë rreth 13 për qind e votuesve të moshës 16 dhe 17 vjeçare. 

"Në vende të tjera në Flandri dhe Bruksel, ai numër është nga një deri në gjashtë për qind", theksoi Dodenj, duke shtuar se po të kihet parasysh se në vend ka rreth 250 mijë njerëz të moshës 16 dhe 17 vjeç, njohja e "gabimit" mund të jetë "shqetësuese".

Ai theksoi se si rezultat i sistemit zgjedhor proporcional belg sipas modelit të D'Onto, "vetëm pak vota" mund të jenë vendimtare se cila parti do të marrë mandatin e fundit në shpërndarjen e mandateve parlamentare.

"Nuk mund të përjashtohet se gabimi ka pasur ndikim mbi shpërndarjen përfundimtare të mandateve", shtoi Dodenj. 

Përndryshe, votimi në Belgjikë është i detyrueshëm për të gjithë qytetarët belg të cilët në bazë të ligjit kanë të drejtën e votës. fc/

Fotografia: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR