• e enjte, 26 dhjetor 2024

Ekspertët: Kosova mund të humbë 500 milionë euro nga sanksionet nga BE-ja, dëme edhe për sistemin juridik

Ekspertët: Kosova mund të humbë 500 milionë euro nga sanksionet nga BE-ja, dëme edhe për sistemin juridik

Prishtinë, 9 korrik 2023 (MIA) - Rreth 500 milionë euro supozohet se do t’i humb Kosova nga masat e ndërmarra nga komuniteti ndërkombëtar, meqë Qeveria Kurti ka refuzuar të rreshtohet me partnerët ndërkombëtarë sa i takon çështjes në veri të Kosovës, shkruan sot portali i Prishtinës "Ekonomia Online".

Parashikimet e ekspertëve janë se krahas dëmeve në ekonomi, edhe sistemi i drejtësisë do të pësojë humbje të mëdha, pasi Bashkimi Evropian konsiderohet si donatori kryesor në reformën e drejtësisë.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit (AKB), Agim Shahini, thotë se deri në fund të vitit, parashihet që Kosova t’i humb rreth 500 milionë euro.

Sipas kreu i AKB-së, faktorin ndërkombëtar e sheh si bashkëpronarë të çlirimit dhe pavarësimit të Kosovës.

"Kosova po përjeton një kohë kur askush nuk ka menduar që pas çlirimit ne do të ballafaqohemi me masa sanksionuese kundër Kosovës nga miqtë të cilët kanë qenë dhe janë bashkëpronarë të çlirimit dhe të pavarësisë së vendit dhe kjo është si rezultat i një presioni, i cili po i jepet institucioneve të Kosovës, për të pranuar një kërkesë e cila shoqërohet lidhet me stabilizim të veriut të Kosovës. Në  kuadër të kësaj, këto masa janë ndëshkuese kundër Qeverisë por që do t’i vuaj edhe qytetari e biznesi. Nga masat e MSA-së dhe nga konferencat tregtare që ka Kosova ose që do të ndalen fondet nga IPA, këto janë masa që do t’i ndiejmë nëse do të vazhdojë deri në fund të vitit secili nga ne, sidomos bizneset e prodhuesit eksportues dhe dëmi mund të jetë mbi 500 milionë euro dhe kjo ndoshta është dëmi më i madh që mund t’i bëhet Kosovës në këtë situatë", thotë Shahini.

E vendimi për targa dhe mbajtja e zgjedhjeve në veri të vendit pa praninë e serbëve, janë gabimet që sipas Shahinit janë bërë nga institucionet kosovare.

"Hapat e parë që mund të them se kanë gabuar duke tentuar ta shtrijnë sovranitetin përmes targave që ishte e drejtë e Kosovës por jo momenti. Momenti i dytë është kur Kosova i mbajti zgjedhjet në veri pa praninë e serbëve dhe pa dëshirën e tyre. Ne jemi shtet demokratik dhe në demokraci duhet të sundojë shumica aty ku edhe jeton, jo pakica mbi shumicën", thotë Shahini.

E pasoja të mëdha sipas avokatit Ardian Bajraktari do të vërehen edhe në sistemin e drejtësisë. Sipas tij, Bashkimi Evropian konsiderohet si donatori kryesor në fushën e drejtësisë.

“Fillimisht duhet bërë të qartë që Bashkimi Evropian është njëri prej donatorëve kryesor në mbështetje të proceseve reformuese, me theks të veçantë në fushën e drejtësisë por jo vetëm, në këtë drejtim natyrisht që paralajmërimet e tilla janë një sinjal tepër dëshpërues për vendin e për rrugën në të cilën ne si shtet synojmë ta arrijnë në strukturat euroatlantike", deklaroi Bajraktari për "Ekonomia onlajn"

Ai shpreson se më në fund do të jetë një moment reflektimi nga ana e institucioneve tona, të cilat pavarësisht faktit që në aspektin ligjor dhe kushtetues kanë të drejtë të ndërmarrin veprime të tilla për ta shtrirë sovranitetin në tërë territorin e Republikës së Kosovës

"Ajo që në fakt po kërkojnë partnerët ndërkombëtarë është që të jenë në koordinim dhe në bashkërendim me ta në lidhje me situata të tilla", u shpreh Bajraktari.

Siç lajmëroi korrepsondenti i MIA-s nga Prishtina, në fund të qershorit BE-ja kumtoi se vendosë masa të pëkohshme ndëshkuese ndaj Kosovës, për shkak se Qeveria e Albin Kurtit nuk i ndërmori masat të cilat i kërkoi blloku evropian për depëshkallëzim të gjendjes në veri. ab/

QËNDRONI TË LIDHUR