• e martë, 24 dhjetor 2024

Ekspertë kërkojnë që Zvicra të rishqyrtojë neutralitetin e saj dhe të bashkëpunojë me NATO-n

Ekspertë kërkojnë që Zvicra të rishqyrtojë neutralitetin e saj dhe të bashkëpunojë me NATO-n

Bern, 30 gusht 2024 (MIA) - Një grup ekspertësh të sigurisë kanë publikuar një raport ku i bëjnë thirrje Zvicrës që të heqë dorë nga neutraliteti ushtarak dhe të intensifikojë bashkëpunimin me NATO-n.

Zvicra është një vend zyrtarisht neutral që nga fillimi i shekullit të 16-të, kurse veçanërisht bie në sy neutraliteti i saj ushtarak. Ajo nuk ka marrë pjesë në ndonjë konflikt të madh dhe nuk është anëtare e ndonjë aleance ushtarake.

Megjithatë, ekspertët e sigurisë tani thonë se është koha për të ndryshuar këtë politikë, veçanërisht për shkakt të pushtimit rus të Ukrainës, i cili filloi në shkurt 2022.

Në përgatitjen e raportit morën pjesë diplomatë, ekspertë të sigurisë, përfaqësues të lartë të ushtrisë zvicerane, si dhe ish-drejtori i Konferencës së Sigurisë së Mynihut, Volfgang Ishinger. Raporti iu prezantua zyrtarisht ministres së Sigurisë, Mbrojtjes dhe Sportit dhe Presidentes aktuale të Zvicrës, Viola Amherd.

Edhe pse nuk ka gjasa që Zvicra të anëtarësohet në NATO dhe BE, duke pasur parasysh se ky vend u bë anëtar i Kombeve të Bashkuara vetëm në vitin 2002, thjesht thirrja për bashkëpunim më të thellë me këto organizata është një ndryshim domethënës nga politika e mëparshme e neutralitetit.

Një faktor i rëndësishëm, siç theksojnë analistët, janë edhe financat. Zvicra ka një ligj që ndalon shitjen e armëve për vendet në konflikt aktiv, gjë që ka ulur ndjeshëm eksportet e armëve. Ekspertët që kanë përgatitur raportin thonë se ky ligj duhet të shfuqizohet.

Megjithatë, është e vështirë të pritet që gjithçka e shkruar në raport të zbatohet. Parlamenti zviceran ka një prani të konsiderueshme të partive pacifiste dhe të ekstremit të djathtë që kundërshtojnë një bashkëpunim më të madh me NATO-n, dhe ato tashmë kanë filluar ta përdorin këtë raport për të sulmuar presidenten Amherd. ls/

Foto: Arkiv 

 

QËNDRONI TË LIDHUR