• e premte, 18 tetor 2024

Ej-Bi-Si Njuz: Netanjahu miratoi objektiva për sulm hakmarrës ndaj Iranit, pritet vendimi përfundimtar

Ej-Bi-Si Njuz: Netanjahu miratoi objektiva për sulm hakmarrës ndaj Iranit, pritet vendimi përfundimtar

Tel Aviv, 17 tetor 2024 (MIA) - Zyrtarët izraelitë kanë konfirmuar se kryeministri i vendit Benjamin Netanjahu ka miratuar të gjitha objektivat për sulmin e planifikuar hakmarrës izraelit ndaj Iranit, transmeton Ej-Bi-Si Njuz.

Sipas burimit, Izraeli planifikon të përgjigjet në sulmin e Iranit të 1 tetorit, kur në drejtim të Izraelit u lëshuan më shumë se 200 projektila.

Megjithatë, përfaqësuesi zyrtar, i cili foli në mënyrë anonime për "ABC News", nuk pranoi të zbulonte më shumë detaje rreth objektivave specifike dhe nuk do të komentonte nëse ato ishin objektiva ekskluzivisht ushtarake iraniane.

Nuk është dhënë asnjë kornizë kohore për sulmin, shpjegoi ai.

Më parë u kumtua se administrata amerikane e Xho Bajdenit mori një garanci nga Tel Avivi se ushtria izraelite nuk do të sulmojë impiantet bërthamore ose të naftës. Megjithatë, sipas burimeve nga gazetarët amerikanë, zyrtarët në Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar se premtimet izraelite nuk janë “të hekurta” dhe se rrethanat mund të ndryshojnë. ls/

Foto: Arkiv 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR