• e enjte, 09 prill 2026

Eduard Habsburg: E inkurajojmë fuqishëm inkuadrimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian

Eduard Habsburg: E inkurajojmë fuqishëm inkuadrimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian

Budapest, 26 mars 2026 (MIA) - Eduard Habsburg-Lotringen, diplomat hungarez dhe anëtar i lartë i familjes mbretërore austriake dhe panevropiane, ka shprehur mbështetje të fortë për inkuadrimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian. Habsburg deri vonë ka qenë ambasador i Hungarisë në Vatikan, ndërsa tani është ambasador i qeverisë hungareze për çështje familjare dhe kishtare dhe është gjithashtu shpesh i pranishëm në qarqet konservatore amerikane. Në një bisedë për MIA-n në konferencën CPAC, Eduard Habsburg dërgoi porosi se Maqedonia duhet të integrohet urgjentisht në Bashkimin Evropian.

"Nuk jam në pozicion për të bërë deklarata zyrtare në këtë temë, por mund të them se Hungaria inkurajon fuqishëm inkuadrimin e të gjitha vendeve nga Ballkani Perëndimor në Bashkimin Evropian sa më shpejt të jetë e mundur. Hungaria po shtyn përpara integrimin e asaj pjese të botës dhe ne e mbështesim fuqishëm këtë. Do të thoja se vendet e Ballkanit Perëndimor kanë punuar gjatë dhe shumë për të hyrë në Bashkimin Evropian dhe ndonjëherë mendoj se entuziazmi në Bruksel nuk është aq i fortë sa duhet të jetë. Gjithashtu edhe Vatikani, ku kam punuar për rreth dhjetë vjet po bën presion të madh për këtë. Selia e Shenjtë është shumë e përkushtuar për pranimin e Ballkanit", ka thënë Habsburgu për MIA-n.

Familja aristokrate më e famshme evropiane ka investuar me dekada për ndikimin e saj në Evropë drejt integrimit të vendeve të Evropës Lindore dhe Jugore, përmes Unionit Panevropian, ku Oto fon Habsburg ka qenë një nga themeluesit dhe iniciatorët kryesorë.

Foto: MIA

 

QËNDRONI TË LIDHUR