E djathta ekstreme e Gjermanisë vë në pikëpyetje anëtarësimin e vendit në NATO
- Bashkëkryesuesi i Alternativës së ekstremit të djathtë të Gjermanisë (AfD), Tino Krupala ka deklaruar se Gjermania duhet ta rishqyrtojë anëtarësimin e saj në NATO, nëse aleanca ku dominon SHBA-ja nuk merr parasysh interesat evropiane, duke përfshirë edhe interesat e Rusisë.
- Post By Fami Bajrami
- 15:34, 15 dhjetor, 2024
Berlin, 15 dhjetor 20024 (MIA) - Bashkëkryesuesi i Alternativës së ekstremit të djathtë të Gjermanisë (AfD), Tino Krupala ka deklaruar se Gjermania duhet ta rishqyrtojë anëtarësimin e saj në NATO, nëse aleanca ku dominon SHBA-ja nuk merr parasysh interesat evropiane, duke përfshirë edhe interesat e Rusisë.
"Evropa u detyrua të zbatonte interesat amerikane. Ne e refuzojmë këtë. NATO për momentin nuk është një aleancë mbrojtëse. Komuniteti i mbrojtjes duhet të pranojë dhe respektojë interesat e të gjitha vendeve evropiane, përfshirë edhe interesat e Rusisë. Nëse NATO nuk është në gjendje ta sigurojë këtë, Gjermania duhet të pyesë se deri në çfarë mase ajo aleancë është ende e dobishme për ne", ka thënë Krupala për gazetën gjermane "Velt", transmeton Beta.
AfD, sipas sondazheve ka mbështetjen e 18 deri në 19 për qind të votuesve në prag të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Gjermani më 23 shkurt, pas votëbesimit ndaj qeverisë së Olaf Sholcit të caktuar për nesër e cila duhet të çojë në shpërbërjen e Bundestagut.
Vetë kancelari Sholc nxiti shpërbërjen duke kërkuar votëbesim ndaj qeverisë pas rënies së koalicionit të tij qeverisës në nëntor.
Mbështetja për AfD-në, sipas sondazheve është më e madhe se ajo e socialdemokratëve të Sholcit për të cilët do të votonin 16 deri në 17 për qind e qytetarëve dhe qëndron prapa bllokut konservator CDU-CSU e cila kryeson me 31 deri në 32 për qind mbështetje.
Megjithatë, AfD-ja ka pak gjasa për të marrë pjesë në formimin e qeverisë, pasi partitë e tjera kanë hedhur poshtë mundësinë e bashkëpunimit me partinë e ekstremit të djathtë.
AfD ka kritikuar madje ashpër mbështetjen ushtarake të Gjermanisë për Ukrainën dhe bëri thirrje për një fund të shpejtë të luftës.
"Qeveria gjermane më në fund duhet të arrijë në pikën ku dëshiron t'i japë fund luftës. Rusia ka fituar këtë luftë, realiteti i ka kaluar ata që duan ta bëjnë Ukrainën të aftë për të fituar”, tha Krupala, kolegia e së cilës Alis Vajdel do të kryesojë listën e AfD-së si kandidate e partisë për kancelare.
Lufta në Ukrainë pritet të jetë një nga temat kryesore të fushatës në Gjermani. Kancelari Sholc ka premtuar mbështetje të mëtejshme për Kievin, por është ende i kujdesshëm pasi dëshiron të fitojë votat e pacifistëve, veçanërisht në Gjermaninë lindore.
Sholci i ka rezistuar thirrjeve për të dërguar raketa me rreze të gjatë veprimi në Kiev që mund të përdoren për të goditur caqe në tokën ruse nga frika se Gjermania do të tërhiqej në konflikt dhe së fundmi ka pasur kontakt të drejtpërdrejtë me presidentin rus Vlladimir Putin.
Foto: EPA