Dy të vdekur dhe disa të lënduar gjatë shembjes së pjesshme të një hoteli në Gjermani
- - Dy persona humbën jetën, ndërsa disa të tjerë janë lënduar gjatë shembjes së pjesshme të një hoteli në qytetin perëndimor gjerman Krov, në lumin Mozel. Sipas policisë, nën rrënoja ka edhe tre të lënduar seriozisht, informon DPA.
- Post By Fitore Curri
- 12:37, 7 gusht, 2024
Berlin, 7 gusht 2024 (MIA) - Dy persona humbën jetën, ndërsa disa të tjerë janë lënduar gjatë shembjes së pjesshme të një hoteli në qytetin perëndimor gjerman Krov, në lumin Mozel. Sipas policisë, nën rrënoja ka edhe tre të lënduar seriozisht, informon DPA.
Në hotel ka pasur 14 persona kur një nga katet e ndërtesës ishte rrëzuar mbrëmë rreth një orë para mesnate. Fillimisht kishin mbetur të ngujuar nëntë persona, pasi pesë të tjerët arritën që me kohë ta lëshojnë ndërtesën. Gjithsej 31 persona në afërsi të rrethinës së dëmtuar ishin evakuuar.
Në mëngjes, policia njoftoi se ka shpëtuar katër persona - një fëmijë dy vjeçar, dy gra dhe një fëmijë. Gjendja e tyre shëndetësore nuk është bërë e ditur.
Policia në rajonin Rajnlland - Pfallc njoftoi se operacioni është "shumë i vështirë, sepse shërbimet urgjente mund të hyjnë në ndërtesë vetëm me kujdes të madh". Rreth 250 pjesëtarë të ndihmës urgjente, duke përfshirë edhe specialistë me dronë, kishin arritur në vendin e incidentit, si dhe qen shpëtimtarë.
"E gjithë struktura është si shtëpi nga letrat", deklaroi zëdhënësi i shërbimit shpëtimtar lokal, Jorg Tojsh.
Pamjet nga vendi i ngjarjes tregojnë pjesë të shembura të një ndërtese shumëkatëshe, me mbeturina betoni në tokë. Televizioni publik SWR informoi se ekipi i zjarrfikësve që kishte mbërritur nuk ka hyrë fillimisht në objekt për shkak të rrezikut për shembje të reja.
Deri më tani nuk dihet arsyeja e shembjes. fc/
Fotografia: DPA