• e enjte, 26 dhjetor 2024

Drejtësi për Manuelin kërkoi Romalitiko me protestë para Gjykatës themelore penale

Drejtësi për Manuelin kërkoi Romalitiko me protestë para Gjykatës themelore penale

Shkup, 24 nëntor 2023 (MIA) - Protestë për drejtësi për Manuelin, fëmija i cili është aksidentuar më 12 tetor në bulevardin "Nikolla Karev" në Shkup, është mbajtur sot, me marsh nga teqja në Topaanë deri në Gjykatën Themelore Penale.

Dënimi me burg për 21-vjeçarin Shukri Zeqiri, shoferi që shtypi fëmijën të rritet dhe të merren parasysh rrethanat në të cilat është kryer vepra penale, aksesi në drejtësi dhe gjykime të drejta për komunitetin rom në raste ku viktima është pjesëtar i kombit rom dhe pjesëmarrje aktive e komunitetit rom në drejtësi, janë kërkesat e paraqitura në protestë.

Drejtori ekzekutiv i Romalitiko, Elvis Shaqiri, theksoi se sot po dalin sërish në rrugë për të shprehur, siç tha, pakënaqësinë e tyre për vendimet e dhëna nga Gjykata në lidhje me pjesëtarët e komunitetit rom.

"Sot nuk e di se tashmë cila herë është që dalim në rrugë për të shprehur pakënaqësinë tonë për vendimet që merr gjykata, sidomos kur në raste të tilla viktimat janë pjesëtarë të komunitetit rom. Ne së bashku me familjen e fëmijës së ndjerë jemi këtu për të shprehur pakënaqësinë tonë lidhur me vendimin. Presim një dënim më të lartë, aq më tepër që personi që ka goditur djalin nuk është ndalur për të dhënë ndihmë. Presim që ky aktgjykim të korrigjohet dhe të shqiptohet dënimi maksimal", theksoi Shaqiri.

Ai sqaroi se kanë disa kërkesa në Gjykatë, ndër të cilat është kërkesa për rishikimin e të gjitha aktgjykimeve që kanë të bëjnë me romët, pasi siç tha ai, ky është vetëm një rast nga shumë për të cilat kanë protestuar.

"Ne kemi protestuar edhe më parë për rastet kur ka pasur bllokadë policore ndaj pjesëtarëve të komunitetit rom, ku punonjësit e policisë marrin dënime me kusht. Kemi disa kërkesa, përfshirë edhe reformat në drejtësi, në të cilat kërkojmë që të përfshihen edhe pjesëtarët e komunitetit rom për të pasqyruar gjendjen në të cilën ndodhemi, tha Shaqiri.

Babai i Manuelit, Sebastian Asanovski, deklaroi se nuk është i kënaqur me dënimin që ka marrë autori i krimit dhe siç tha ai, të gjykohet drejtë.

“Pres që pas protestës të ketë një vendim tjetër, mendoj se ligji do të marrë parasysh kërkesën tonë dhe do të ndryshojë dënimin”, theksoi ai.

Gjyqtarja Marija Kletniçka nga Gjykata Themelore Penale Shkup, më 15 nëntor, ka shqiptuar dënim të vetëm me burgim prej dy vjet e tre muaj për 21-vjeçarin Shukri Zeqiri nga Shkupi, i cili më 12 tetor në bulevardin "Nikola Karev", në seksionin e njohur si “rruga e plastikave” në Shkup, ka shtypur një fëmijë dhjetë vjeçar i cili nga shtypja ka ndërruar jetë në vend dhe i njëjti ka ikur. Prokuroria Themelore Publike Shkup në deklaratë për MIA-n ka theksuar se do të paraqesë ankesë në Gjykatën e Apelit lidhur me lartësinë e dënimit për kryesin e veprës penale. ls/

 

Фото: МИА

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR