• e shtunë, 23 nëntor 2024

Dombrovskis thotë se sulmet në Detin e Kuq ende nuk kanë ndikuar në çmimet e energjisë apo të mallrave

Dombrovskis thotë se sulmet në Detin e Kuq ende nuk kanë ndikuar në çmimet e energjisë apo të mallrave

Bruksel, 23 janar 2024 (MIA) - Eurokomisari për tregti Valdis Dombrovskis deklaroi se sulmet e kryengritësve huthë ndaj anijeve transportuese në Detin e Kuq ende nuk ndikojnë në çmimin e energjisë ose të mallrave në Evropë.

Por, shpenzimet e transportit rriten, tha Dombrovskis pas takimit joformal të ministrave të tregtisë të BE-së në Bruksel.

Arsyeja është se kompanitë e transportit detar i devijojnë anijet e tyre në Kepin e Shpresës së Mirë, i cili është një udhëtim më i gjatë. Rruga përmes Detit të Kuq është më e shkurtra midis Azisë dhe Evropës.

Trafiku në Detin e Kuq kohët e fundit ra 22 për qind brenda një muaji dhe ka të ngjarë të vazhdojë të bjerë.

“Ndikimi më i gjerë ekonomik, ndikimi në çmimet e konsumit dhe në ekonominë e BE-së në përgjithësi do të varet në masë të madhe nga kohëzgjatja e kësaj krize", shpjegoi Dombrovskis.

Tani ishte e rëndësishme të diskutoheshin masat për të mbrojtur transportin tregtar në Detin e Kuq, shtoi komisioneri i tregtisë së BE-së.

Pas një marrëveshjeje në parim me BE-në, një operacion ushtarak për të siguruar transportin tregtar në Detin e Kuq do të fillojë muajin e ardhshëm dhe do të ndihmojë në përfundimin e sulmeve ndaj anijeve nga militantët islamikë Huthi të Jemenit. qa/ab/

 

QËNDRONI TË LIDHUR