• e martë, 24 dhjetor 2024

Dita e fundit e fushatës presidenciale në SHBA

Dita e fundit e fushatës presidenciale në SHBA

Uashington, 4 nëntor 2024 (MIA) – Sot është dita e fundit e fushatës presidenciale të dy kandidatëve për zgjedhjet presidenciale në SHBA, të cilën që të dy do ta shfrytëzojnë për mbajtjen e disa tubimeve në vende të cilat i konsiderojnë kyçe për fitoren në zgjedhjet e së martës. 

Votuesit amerikanë ende janë të ndarë në zgjedhjen ndërmjet republikanit Donald Tramp dhe demokrates Kamala Harris, ndërsa anketat tregojnë garë të pasigurt, veçanërisht në shtatë shtete kyçe federale për të cilat pritet se do ta përcaktojnë fituesin. 

Trampi, republikan 78-vjeçar, miliarder dhe ish president, gjatë fushatës mbijetoi dy përpjekje për atentat, vetëm disa javë pasi porota në Nju Jork e shpalli fajtor për falsifikimin e dokumenteve, me çka u bë ish presidenti i parë i dënuar për vepër penale. 

Harisi papritur u bë kandidate e partisë së saj në korrik, duke marrë mundësinë që të bëhet gruaja e parë presidente e SHBA-së, pasi presidenti aktual Xho Bajden u tërhoq nga gara pas ngjarjes së keqe në debat dhe presionit të partisë që të heqë dorë. 

Anketat tregojnë se dy kandidatët janë barazuar në nivel kombëtar, por edhe në shtetet e ndryshueshme federale, të ashtuquajtura shtete të lëkundura (swing states).

Më shumë se 77 milionë amerikanë tashmë e dhanë votën e tyre, por dita e zgjedhjeve do të tregojë fushata e kujt ishte më e suksesshme në motivimin e votuesve që të dalin në votim. 

Kur do ta mësojmë fituesin? 

Vendvotimet mbyllen të martën në mbrëmje, por ka mundësi që të mos dihet se kush është fituesi – Donald Trampi ose Kamala Harrisi – ditë të tëra pas zgjedhjeve, nëse gara është e ngushtë. 

Anketat kombëtare dhe anketat në shtetet kyçe po bëhen gjithnjë e më të sigurta siç po afrohet dita e nesërme, prandaj dallimet në fitore do të mund të jenë shumë më të vogla në disa shtete, që do të mund të shkaktojë numërim të serishëm në vota”, thekson Bi-Bi-Si.

Gjithashtu, ka mundësi që disa rezultate këtë vit të mbërrijnë më ngadalë për shkak të ndryshimeve në mënyrën në të cilën disa shtete – duke përfshirë edhe të gjitha shtatë shtetet kyçe të cilat në fund do ta përcaktojnë garën – menaxhuan me zgjedhjet nga viti 2020. 

Nga ana tjetër, në disa vende, si në Miçigen, numërimi i votave është përshpejtuar, ndërsa dukshëm më pak vota do të dërgohen me postë se sa në zgjedhjet e kaluara, të cilat u mbajtën gjatë pandemisë. 

Në vitin 2020, zgjedhjet u mbajtën të martën, më 3 nëntor, por rrjetet amerikane televizive nuk e shpallën Xho Bajdenin fitues deri mëngjesin e vonë të shtunën, 7 nëntor. 

Presidenti i sapozgjedhur do të inaugurohet të hënën, 20 janar 2025, në kompleksin e Kapitoll – në inaugurimin e 60-të presidencial në historinë e SHBA-së. 

Këto janë shtetet të cilat vendosin dhe ato që mund të befasojnë

Mendohet se janë shtatë shtete që teorikisht mund të fitohen nga çdo kandidat. Për shkak të kësaj, fushatat e zëvendëspresidentes Kamala Harris dhe ish-presidentit Donald Tramp po synojnë pikërisht ato zona, shkruan Si-en-en.

Ato shtete mund të ndahen në dy kategori të përgjithshme: 

Tre shtete luhatëse në Perëndimi i Mesëm, i ashtuquajturi "muri blu" - këto janë shtete me industri të fortë dhe sindikata të fuqishme të punës: Pensilvania, Miçigani dhe Uiskonsin. Ata dikur ishin demokratë të besueshëm, por kanë ndryshuar pasi demografia ka ndryshuar dhe Tramp ka tërhequr votuesit e bardhë pa arsim universitar.

Kur Trampi e fitoi Shtëpinë e Bardhë në vitin 2016, i fitoi të tre vendet. Kur Xho Bajden fitoi në vitin 202, gjithashtu i fitoi të tre vendet. Nëse Haris i fiton të trijat këtë vit, me shumë gjasa do të ketë mjaft vota elektorale për të fituar. Megjithatë, anketat tregojnë gara të ngushta në to. Kyçe do të jetë pjesëmarrja e votuesve, gjë që për Haris do të thotë tërheqje e mbështetjes nga gratë nga periferitë dhe votuesit me ngjyrë.

Shtetet e "Murit të kaltër" zakonisht votojnë njëjtë. Hera e fundit që ata nuk votuan të gjithë për të njëjtin kandidat ishte viti 1988 - interesant është se Kalifornia atëherë ishte e kuqe, ndërsa Virxhinia Perëndimore ishte e kaltër. Në tetë zgjedhjet që nga viti 1988, e vetmja herë kur shtetet e murit të kaltër kanë votuar për republikanët ishte në vitin 2016, kur Tramp fitoi.

Katër shtete kryesore të "Rripit të diellit" - Këto shtete me popullsi në rritje përfshijnë  Arizonën dhe Nevadën në perëndim dhe Karolinën e Veriut dhe Xhorxhinë në lindje. Arizona, Xhorxhia dhe Karolina e Veriut dikur ishin të sigurta për republikanët. Trampi dy herë fitoi në Karolinën e Veriut, por dallimi ishte i ngushtë në vitin 2020. Demokrati i fundit që fitoi atje ishte Barak Obama në vitin 2008. Bajdeni ishte demokrati i parë që e fitoi Xhorxhinë pas Bil Klintonit në vitin 1992 dhe Arizonën pas Klintonit në vitin 1996.

Një votë në Nebraska është pikë kthyse - 48 shtete i japin të gjitha votat e tyre elektorale fituesit. Nebraska dhe Mejn e bëjnë atë ndryshe, duke ndarë votat sipas zonës së kongresit. Nebraska është një zonë e sigurt për Trampin, por zona e kongresit rreth Omaha është në mëdyshje. Kjo një votë mund të jetë çelësi në një garë të ngushtë për Kolegjin Zgjedhor.

Profesori i cili i parashikoi saktë të gjitha zgjedhjet amerikane nga viti 1984

Profesori amerikan Alan Lihtman është profesor i historisë në Universitetin në Uashington për gati 50 vjet. Por ai u bë i famshëm në nivel kombëtar për diçka tjetër - modelin e tij zgjedhor të quajtur "Çelësat e Shtëpisë së Bardhë", i cili ka parashikuar me saktësi rezultatet e çdo zgjedhjeje presidenciale që nga viti 1984. 

Në video-reportazhin për këtë historian "Njujork tajms" e quan "Nostradamus i zgjedhjeve presidenciale". Reputacionin e tij e konfirmoi edhe në vitin 2016 kur, pavarësisht faktit që pothuajse të gjitha anketat e parashikuan fitoren e Hilari Klinton, ai sakt e parashikoi që fituesi do të jetë Donald Tramp. Vetë Trampi e uroi pas fitores për parashikimin e saktë. 

Këtë vit parashikon se nënpresidentja Kamala Haris do të fitojë. "Pse jam i sigurt se Haris do të fitojë? Sepse është ngushtë vetëm sipas anketave, ndërsa sistemi im i injoron anketat", deklaroi Lihtman për Si-En-En. 

Ai shtoi se anketat shpesh janë vetëm "fotografi momentale" me marzhe të mëdha gabimi: "Njerëzit nuk u përgjigjen anketave, gënjejnë, e ndryshojnë mendimin dhe anketuesit duhet të qëllojnë se cilët janë votuesit e mundshëm".

Megjithëse është i sigurt në parashikimin e tij, Lihtman tha se është nervoz – pjesërisht për shkak të ngacmimeve të shumta dhe urrejtjes që ai dhe familja e tij kanë përjetuar, ndërsa pjesërisht sepse, siç thotë, demokracia është vërtet në rrezik.

"Demokracia është e çmuar. Por, si të gjitha gjërat e tjera të çmuara, ajo mund të shkatërrohet", tha ai. Asnjëherë nuk kemi pasur një kandidat që pengonte dorëzimin paqësor të pushtetit, nxiti një grusht shtet të dhunshëm shtetëror dhe tani refuzon të pranojë rezultatet e zgjedhjeve të ndershme. Për mua nuk është aq e rëndësishme nëse kam të drejtë apo jo, por për të ardhmen e vendit tim, i cili është në rrezik serioz. fc/ ls/ 

Foto: EPA 

 

QËNDRONI TË LIDHUR