• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Disa pjesë të Çekisë, Polonisë dhe Austrisë nën ujë pas goditjes së ciklonit "Boris"

Disa pjesë të Çekisë, Polonisë dhe Austrisë nën ujë pas goditjes së ciklonit

 Varshavë/Pragë/Vjenë, 15 shtator 2024 (MIA) - Cikloni "Boris", i cili solli reshje të dendura shiu dhe erëra të forta, shkaktoi përmbytje në Evropën Qendrore, veçanërisht në Çeki, Poloni dhe Austri. Janë përmbytur qytete, rrugë dhe infrastrukturë tjetër, popullsia e zonave më të rrezikuara është evakuuar, si dhe ka njerëz të bllokuar që shpëtimtarët nuk mund t'i arrijnë.

Kryeministrat e Çekisë dhe të Polonisë, Peter Fiala dhe Donald Tusk, u bënë apel qytetarëve të zonave të prekura nga përmbytjet që të mos refuzojnë evakuimin dhe turistëve dhe aventurierëve të mos rrezikojnë të zbresin në përrua, sepse zjarrfikësit që do të duhet t'i shpëtojnë,  u duhen atyre të cilët me të vërtetë janë në rrezik. 

 "Tetëdhjetë për qind e shiut të parashikuar tashmë ka rënë, por më e keqja është ende pas nesh. Situata është vërtet e rrezikshme, nuk duhet nënvlerësuar. Ka njerëz që refuzojnë të evakuohen. I lus të gjithë që të mos rrezikojnë, të mos lundrojnë nëpër lumenj dhe të mos bëjnë gjëra të tjera të çmendura", tha kryeministri çek Fiala për Si-En-En-in.

Ai paralajmëroi se situata është dramatike dhe do të vazhdojë deri nesër dhe shprehu shpresën se stuhia dhe përmbytjet nuk do të shkaktojnë pengesa për mbajtjen e zgjedhjeve rajonale dhe të Senatit më 20 dhe 21 shtator. 

Mediat çeke raportojnë se qarku Jesenjík, ku shumë njerëz refuzuan të evakuoheshin, tani është shkëputur nga bota dhe nuk ka asnjë mënyrë për të arritur njerëzit përveç me helikopter. 

 

Përrenjtë dhe lumenjtë malorë në   Çeki dhe Poloni janë kthyer në përrua, uji ka dalë nga digat dhe rezervuarët hidroelektrikë.

Në të dyja vendet ka skena të ngjashme të shtëpive të përmbytura, lagjeve urbane, digave të tejmbushura, përrenjve që shkatërrojnë shtëpi dhe ura.  

 Kryebashkiaku i Gluholazit sot ka dërguar një mesazh dramatik - "Po fundosemi".

Nën ujë për shkak të shiut të dendur janë edhe disa pjesë së të kryeqytetit austriak, Vjenës. 

Niveli i ujit të lumit të Vjenës në Urën Kenedi në pjesën perëndimore të qytetit u rrit nga 50 centimetra në 2.26 metra brenda një dite, bënë të ditur  shërbimet për gjendje të jashtëzakonshme. 

 

Janë përmbytur shtigjet e këmbësorëve dhe biçikletave, ndërsa tarracat e restoranteve në breg të lumit janë nën ujë.

Në tre zona të Vjenës është ndërprerë furnizimi me energji elektrike, si dhe dy linja të metrosë janë jashtë funksionit përkohësisht. 

Foto: EPA 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR