• e enjte, 26 dhjetor 2024

Dialogu midis Prishtinës dhe Beogradit - miratohet Deklarata për personat e zhdukur

Dialogu midis Prishtinës dhe Beogradit - miratohet Deklarata për personat e zhdukur

Bruksel, 2 maj 2023 (MIA) - Në Bruksel filloi raundi i ri i dialogut midis Prishtinës dhe Beogradit me ndërmjetësimin e BE-së, ndërsa në të marrin pjesë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në prani të përfaqësuesit të lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Zhozep Borell dhe të dërguarit special të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak.

Delegacionet e Prishtinës dhe të Beogradit e miratuan Deklaratën për personat e zhdukur në Bruksel, ndërsa në vijim janë bisedimet për Asociacionin e Komunave Serbe (AKS).

I dërguari special i BE-së për dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit, Mirosllav Lajçak deklaroi se statuti i Asociacionit duhet të jetë i pranueshëm për të dyja palët dhe në pajtim me standardet evropiane.

"Ekipi udhëheqës do ta prezentojë draftin. Ne nuk e dimë se çfarë është në të, por duhet të jetë fillimi i procesit. Në fund, duhet të kemi një statut të pranueshëm për të dyja palët, si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë, në përputhje me standardet evropiane. Ky është hapi i parë i rëndësishëm", deklaroi Lajçak për agjencinë kroate të lajmeve Hina.

Ai potencoi se kjo është hera e parë të shihet puna e Ekipit udhëheqës, të cilin e përbëjnë katër persona të stacionuar në Kosovë, të cilët u angazhuan në mënyrë formale nga Qeveria e Kosovës, por u propozuan nga komunat me shumicë serbe.

Ai e përsëriti se BE-ja nuk dëshiron të krijojë Asociacion të Komunave serbe mbi një model që nuk është testruar deri më tani në botë, por në bazë të disa prej modeleve ekzistuese evropiane.

QËNDRONI TË LIDHUR