• e mërkurë, 17 korrik 2024

Detaje nga marrëveshja e re tregtare për Irlandën e Veriut të arritur nga BE-ja dhe Britania e Madhe

Detaje nga marrëveshja e re tregtare për Irlandën e Veriut të arritur nga BE-ja dhe Britania e Madhe

Londër, 27 shkurt 2023 (MIA) - Britania dhe BE-ja sot kumtuan se kanë arritur një marrëveshje të re tregtare pas Bregzitit për Irlandën e Veriut, në përpjekje për t'i dhënë fund mosmarrëveshjes që ka lënë në hije marrëdhëniet ndërmjet Brukselit dhe Londrës.

Marrëveshja u arrit për të kapërcyer tensionet e shkaktuara nga Protokolli për Irlandën e Veriut, një sistem kompleks rregullash tregtare që zbatohen për provincën britanike. Ato ishin rënë dakord përpara se Britania të largohej nga BE, por tani janë shpallur të pazbatueshme nga Londra.

Kryeministri britanik Rishi Sunak në konferencën e përbashkët për shtyp në kështjellën Uindzor me kryetaren e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen kumtuan detaje nga marrëveshja.

Doganat

Kur Britania u largua nga BE, kryeministri i atëhershëm Boris Xhonson ra dakord për një marrëveshje që e mbante efektivisht Irlandën e Veriut në tregun e vetëm për shkak të një kufiri të hapur me Republikën e Irlandës, një anëtare e BE-së. Në të njëjtën kohë, u krijua një kufi doganor midis Britanisë së Madhe dhe BE-së.

Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar dëshironte të lehtësonte kontrollet për mallrat që hynin në Irlandën e Veriut nga Britania e Madhe.

Brukseli dhe Londra kanë rënë dakord të ndajnë mallrat e destinuara për Irlandën e Veriut nga ato që drejtohen për në BE. Qëllimi është të reduktohet dokumentacioni për kompanitë që janë ankuar se nuk mund t'i ofrojnë të gjitha produktet e tyre në Irlandën e Veriut për shkak të kontrolleve shumë të gjera.

Legjislacioni evropian

Sipas marrëveshjes së mëparshme midis Londrës dhe Brukselit, Irlanda e Veriut iu është përmbajtur disa ligjeve të BE-së, në mënyrë që mallrat të mund të kalonin kufirin lirisht në Republikën e Irlandës pa iu nënshtruar kontrolleve.

Sunak tha se Parlamenti i Irlandës së Veriut tani do të jetë në gjendje të "tërheq frenë urgjente" për çdo ndryshim në rregullat e BE-së dhe se Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar do të "ketë të drejtë të vetos".

TVSH

Kompanitë në Irlandën e Veriut aktualisht respektojnë rregullat për TVSH të BE-së. Kjo do të thotë që lehtësimet tatimore në Mbretërinë e Bashkuar për të mbështetur bizneset në Irlandën e Veriut duhet të jenë në përputhje me rregullat e BE-së.

Sipas marrëveshjes së re, Qeveria britanike do të ketë lirinë të përcaktojë shumën e TVSH-së në Irlandën e Veriut. ls/qa/

foto: EPA

QËNDRONI TË LIDHUR