• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Demonstrata në Barcelonë kundër turizmit të tepruar

Demonstrata në Barcelonë kundër turizmit të tepruar

Barcelona, ​​7 korrik 2024 (MIA) - Disa mijëra njerëz kanë demonstruar mbrëmë në Barcelonë kundër turizmit të tepruar dhe pasojave të tij në jetën e përditshme në kryeqytetin e provincës spanjolle Katalonja, e cila çdo vit vizitohet nga miliona vizitorë, transmetojnë mediat franceze.

Sipas policisë, rreth 2800 persona dolën për të demonstruar me sloganin: “Mjaft! Të kufizojmë turizmin”, duke kërkuar ndryshimin e modelit ekonomik të qytetit, i cili konsiderohet si destinacioni turistik më i vizituar në Spanjë.

Kritikët e turizmit të tepruar janë më kritikët për ndikimin e tij në kostot për banim – qiratë janë rritur deri në 68 për qind në dekadën e fundit – por edhe për efektet e tij të dëmshme në bizneset lokale, mjedisin jetësor dhe kushtet e punës së banorëve vendas.

Vetëm vitin e kaluar, Barcelona u vizitua nga mbi 12 milionë turistë. Për të lehtësuar aksesin e qytetarëve në banesa, këshilli bashkiak njoftoi së fundmi se dëshiron të ndalojë dhënien me qira të apartamenteve turistike deri në vitin 2029.

Nga Ishujt Balearik në Ishujt Kanarie përmes qyteteve kryesore turistike të Andaluzisë si Malaga, në Spanjë po forcohen lëvizjet që janë armiqësore ndaj mbiturizmit.

Spanja, si destinacioni i dytë më i madh turistik në botë, pas Francës, regjistroi një rekord prej 85.1 milionë vizitorë të huaj vitin e kaluar.

Rajoni më i vizituar është Katalonja me 18 milionë vizitorë, e ndjekur nga Ishujt Balearik (14.4 milionë), më pas Ishujt Kanarie (13.9 milionë).

Turizmi në Spanjë përfaqëson 12,8 për qind të PBB-së. ls/

Foto: EPA 

QËNDRONI TË LIDHUR