• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Delegacioni izraelit braktisi bisedimet në Kajro për shkak të mosmarrëveshjes me Netanjahun

Delegacioni izraelit braktisi bisedimet në Kajro për shkak të mosmarrëveshjes me Netanjahun

Teheran, 4 gusht 2024 (MIA) - Një delegacion negociator izraelit u largua nga Kajro dhe u kthye në Tel Aviv menjëherë pas mbërritjes së djeshme, ku do të rifillonte bisedimet për marrëveshje për shkëmbimin e pengjeve me grupet palestineze, raporton Anadolia.

Delegacioni, i përbërë nga kreu i agjencisë së inteligjencës Mosad, Dejvid Barnea, kreu i agjencisë së sigurisë Shin Bet, Ronen Bar dhe koordinatori qeveritar për operacionet në territoret palestineze, Gasan Alijan, u kthyen në Tel Aviv për shkak të mosmarrëveshjeve me kryeministrin Benjamin Netanjahu, njoftoi gazeta "Jediot Ahronot".

Nga Zyra e Netanjahut nuk komentuan ende për këtë çështje.

"Shkuarja e delegacionit izraelit në Kajro është rezultat i presionit të fortë të SHBA mbi Izraelin dhe Egjiptin ditët e fundit për të vazhduar negociatat për marrëveshje për pengjet pavarësisht nga vrasja e udhëheqësit politik të Hamasit Ismail Hanija," publikoi portali izraelit i lajmeve "Vala", duke cituar burime të paemërtuara.

Zyrtarë të lartë izraelitë, duke përfshirë ministrin e Mbrojtjes Joav Gallant dhe kryeshefi i Shtatmadhorisë së Forcave Mbrojtëse Izraelite (IDF) Herzi Halevi, paralajmëruan kryeministrin Benjamin Netanjahu dje se këmbëngulja e tij për kushte të reja do të sabotonte marrëveshjen e armëpushimit dhe lirimin e pengjeve, gjë që e shtyu kryeministrin të argumentonte se Hamasi, e jo ai, po impononte kërkesa të reja.

Kanali 12 citoi edhe Halevin edhe Galantin duke akuzuar Netanjahun se ishte i vetëdijshëm se kushtet e reja që ai po kërkonte, të cilat supozohet se ishin përfshirë në propozimin e përditësuar izraelit, do të shkatërronin marrëveshjen.

Propozimi i ri thuhet se bën thirrje për vendosjen e mekanizmit të inspektimit për të siguruar që luftëtarët nuk mund të lëvizin në veri të Rripit të Gazës; që Izraeli të mbetet në kufirin Gaza-Egjipt, i njohur si Korridori i Filadelfisë, në fazën e parë të marrëveshjes; dhe për këmbënguljen e Izraelit për të marrë një listë të të gjithë pengjeve të gjallë që Hamasi do të lirojë si pjesë e marrëveshjes. Asnjë nga këto kërkesa nuk u shfaq në propozimin izraelit të dorëzuar më 27 maj, i cili më pas u bë publik nga Presidenti i SHBA Xho Bajden, dhe i cili u kundërshtua me forcë nga aleatët e ekstremit të djathtë të kryeministrit në atë kohë, raporton "Tajms of Izrael".

“Nuk ka asnjë arsye sigurie për shtyrjen e marrëveshjes. Meqenëse po flasim hapur, po ju them se pikëpamjet tuaja nuk janë të dobishme për këtë çështje, "e citoi atë Galant Netanjahun të thoshte gjatë takimit të nivelit të lartë mbajtur të mërkurën në mbrëmje. "Sa i përket Filadelfisë, unë nuk rekomandoj që ta kthejmë atë në një pengesë ose diçka që do të na pengojë të kthejmë (nga Gaza) 30 persona në fazën e parë (të marrëveshjes), gjysma e tyre gra," shtoi Halevi.

Si përgjigje, Kanali 12 citoi një "burim të lartë" - rrjeti aludoi se bëhet fjalë për Netanjahun - duke akuzuar kritikët e tij se po vepronin për motive politike. Netanjahu muajin e kaluar shtoi disa kërkesa "të pakuptueshme" në propozimin e marrëveshjes së pengjeve, duke përfshirë kontrollin izraelit mbi të ashtuquajturin Korridor të Filadelfisë përgjatë kufirit të Gazës me Egjiptin dhe Korridorin Netzarim, i cili aktualisht ndan Rripin në dy pjesë. Korridoret Netzarim dhe Filadelfia nuk renditen si vende ku trupat izraelite do të lejohen të qëndrojnë, sipas tekstit të propozimit izraelit të majit, i cili është botuar i plotë nga "Tajms of Izrael".

Në fakt, dokumenti bën thirrje për "tërheqjen e forcave izraelite në lindje larg zonave me popullsi të dendur përgjatë kufijve në të gjitha zonat e Rripit të Gazës, duke përfshirë Luginën e Gazës."

Ndërkohë, Kanali 13 raportoi dje se Shtetet e Bashkuara dërguan mesazhe të zemëruara se Izraeli ishte "tërhequr" nga marrëveshja që kishte propozuar. Rrjeti citoi burime të paidentifikuara egjiptiane të cilët thanë se vrasja e Hanias kishte ngrirë bisedimet, por nuk do t i shtynte ato për shumë kohë.

"Rrjedhjet dhe informimet e rreme nga palë të panjohura në media krijojnë një imazh të rremë për publikun," njoftoi Kabineti i kryeministrit izraelit transmetuesit publik Kan, pasi njoftoi se shefi i Shin Bet Ronen Bar akuzoi kryeministrin për "bërjen e ndryshimeve" në propozimin izraelit në mes të negociatave.

Sipas Kan, anëtarët e ekipit negociator i thanë më tej Netanjahut se pozicioni i tij lidhur me korridorin Netzarim do të "shkatërronte marrëveshjen" dhe se "ne kemi miratuar propozim që e trajton korridorin ndryshe."

"Ndërsa Kryeministri Netanjahu ka rënë dakord me draftin, Hamasi po përpiqet të prezantojë dhjetëra ndryshime që në mënyrë efektive e anulojnë atë," u përgjigj Kabineti i Kryeministrit — duke pretenduar se "nuk i ka shtuar asgjë draftit dhe vazhdon t'i përmbahet kushteve themelore të sigurisë së Izraelit." "Kushdo që ofron të pranojë kërkesat e Hamasit për të marrë duartrokitje në studiot [televizive] dëmton shanset e lirimit të pengjeve dhe na kthen në realitetin e përçarjeve shoqërore të 6 tetorit," pohoi Kabineti i Kryeministrit izraelit.

Sipas një raporti të Kanalit 12 në takimin e nivelit të lartë të mërkurën në mbrëmje, shefat izraelitë të sigurisë thuhet se i kërkuan Netanjahut të përdorë momentumin e krijuar nga sulmet e fundit ndaj zyrtarëve të lartë të Hamasit dhe Hezbollahut për të shfrytëzuar mundësinë për një marrëveshje për pengje me Hamasin.

Takimi pasoi një sulm izraelit në Bejrut që vrau komandantin e Hezbollahut Fuad Shukr të martën në mbrëmje dhe vrasjen e shefit të Hamasit Ismail Hanije në Teheran herët në mëngjes të mërkurën; Izraeli nuk e ka marrë ose e ka mohuar përgjegjësinë për atë sulm.

Ndërsa shefi i Mosadit Dejvid Barnea, i cili po udhëheq negociatat izraelite për marrëveshje, thuhet se ka thënë në takimin se ka marrëveshje të gatshme dhe se Izraeli duhet ta pranojë atë, Netanjahu qortoi shefat e tij të sigurisë, duke goditur tryezën dhe duke u thënë atyre se ishin negociatorë të këqij - një pretendim i mohuar më vonë nga Kabineti i kryeministrit.

"Ju jeni të dobët. Nuk dini të zhvilloni negociata të rënda. Më vendosni fjalë në gojë. Në vend që t'i bëni presion kryeministrit, shtypni kreun e Hamasit në Gaza, Sinvar", gjoja ka bërtitur Netanjahu. Duke folur në emisionin kryesor të mbrëmjes së Kanit të premten në mbrëmje, korrespondenti politik i Walla News, Tal Shalev, raportoi se Netanjahu kishte planifikuar të shkarkonte Gallantin kur të kthehej nga vizita e tij në Shtetet e Bashkuara, por shkarkimi u vonua për shkak të sulmit vdekjeprurës ndaj Hezbollahut në Majdal Shams dhe vrasjes së dy shefave terroristë këtë javë.

Ajo shtoi se burime në rrethin e Netanjahut thanë se pas zëvendësimit të Galantit, kryeministri planifikon të shkarkojë shefin e IDF-së Halevi dhe shefin e Shin Bet Barin për të eliminuar kritikat për mënyrën se si po i trajton negociatat për kthimin e pengjeve të kapur nga Hamasi më 7 tetor dhe akuzat se ai rrezikon të sabotojë marrëveshjen.

Një seri raportesh mbi mosmarrëveshjet e shefave të sigurisë me Netanjahun erdhën pasi një delegacion i lartë izraelit udhëtoi në Kajro dje për bisedime indirekte me negociatorët amerikanë dhe egjiptianë, por u kthye në të njëjtën ditë.

Mediat izraelite raportuan se kreu i Mosadit, Barnea, kreu i agjencisë së sigurisë Shin Bet, Bari dhe Gjeneral Major Gasan Allian, kreu i Koordinatorit të Aktiviteteve Qeveritare në Territore (COGAT), zhvilluan takime në Kajro me kreun e shërbimit të inteligjencës egjiptiane, Abas Kamel dhe zyrtarë të lartë ushtarakë egjiptianë.

Sipas disa raporteve mediatike, takimi nuk solli asnjë progres. Një burim izraelit u citua nga e përditshmja "Haarec" duke thënë se bisedimet nuk kishin dhënë rezultate dhe se "vetë largimi i delegacionit në Egjipt në këto rrethana është lajmi i vetëm i mirë."

Pas bisedimeve të djeshme, udhëheqësi i opozitës Jair Lapid akuzoi Netanjahun për "vazhdimin e shtyrjes së marrëveshjes së kthimit të pengjeve vetëm për arsye politike." Lapid u bëri thirrje krerëve të aparatit izraelit të sigurisë që "të dalin dhe t'i tregojnë të vërtetën publikut", duke thënë se "nëse qeveria izraelite ka hequr dorë nga pengjet, ajo duhet të jetë e sinqertë me familjet dhe të pushojë së luajturi lojëra."

Presidenti amerikan Xho Bajden gjithashtu thuhet se tregoi skepticizëm në lidhje me gatishmërinë e Netanjahut për të arritur marrëveshje, duke i thënë atij gjatë një telefonate të enjten që "të ndalonte së luajturi me të", raportoi Kanali 12.

Rrjeti raporton se presidenti amerikan i tha Netanjahut  të ndalonte "përqeshjen" pasi kryeministri izraelit i tha atij se Izraeli po vazhdonte negociatat për një marrëveshje për pengje dhe se së shpejti do të dërgonte një delegacion për të rifilluar bisedimet.

Foto: Arkiv

QËNDRONI TË LIDHUR