• e hënë, 23 shkurt 2026

Danimarka u përgjigj ndaj njoftimit të Trampit se ka dërguar anije mjekësore në Grenlandë: Nuk ka nevojë për ndihmë shëndetësore nga jashtë

Danimarka u përgjigj ndaj njoftimit të Trampit se ka dërguar anije mjekësore në Grenlandë: Nuk ka nevojë për ndihmë shëndetësore nga jashtë

Kopenhagë, 22 shkurt 2026 (MIA) - Popullsia e Grenlandës nuk ka nevojë për ndihmë mjekësore nga jashtë dhe nëse kanë nevojë për trajtim të veçantë shëndetësor, atë e marrin në Danimarkë, deklaroi ministri danez i Mbrojtjes, Troels Lund Poulsen, pas njoftimit të presidentit amerikan Donald Tramp se kishte dërguar një anije mjekësore në territorin autonom danez, për të cilin ai shpreh hapur aspiratat.

Edhe kryeministrja daneze Mete Frederiksen, pa përmendur drejtpërdrejt njoftimin e Trampit, njoftoi në Fejsbuk se ishte "e lumtur që jetonte në një vend ku qasja në kujdesin shëndetësor është falas dhe e barabartë për të gjithë. Ku sigurimi ose pasuria nuk përcakton nëse dikush do të marrë trajtim dinjitoz. Është e njëjta qasje si në Grenlandë".

Presidenti i SHBA-së Donald Tamp njoftoi më parë në Truth Social se kishte dërguar një anije mjekësore në Grenlandë, siç tha ai, "për t'u kujdesur për shumë njerëz që janë të sëmurë dhe nuk po trajtohen atje".

Në një postim me një imazh të inteligjencës artificiale të anijes mjekësore amerikane "Mersi", ai tregoi se po e dërgonte anijen në bashkëpunim me guvernatorin e Luizianës Xhef Landri, i cili është gjithashtu përfaqësuesi special i SHBA-së për Grenlandën.

Landri, nga ana tjetër, e ndau imazhin në një koment, falënderoi Trampin dhe shkroi: "Është rrugës!!!".

Kopenhaga zyrtare pohon se nuk ka informacion se ndonjë anije është në rrugën e saj për në Grenlandë. Informacioni i disponueshëm publikisht tregon gjithashtu se dy anijet mjekësore në pronësi të Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë ende në vend. mb/

Foto: printskrin Tramp Truth Social 

QËNDRONI TË LIDHUR