Daçiqi dërgoi zjarrfikës dhe helikopterin Ka-32 në Maqedoninë e Veriut
- Zëvendëskryeministri i Serbisë dhe ministri i Punëve të Brendshme, Ivica Daçiq sot mori pjesë në dërgimin e pjesëtarëve të Njësisë së helikopterëve dhe Sektorit për situata emergjente të cilët u nisën drejt Maqedonisë së Veriut me helikopter kundër zjarreve Kamov Ka-32 për të ndihmuar në shuarjen e zjarreve pyjore, njofton korrespondenti i MIA-s nga Beogradi.
- Post By Qefsere Abduli
- 12:50, 16 korrik, 2024
Beograd, 16 korrik 2024 (MIA) - Zëvendëskryeministri i Serbisë dhe ministri i Punëve të Brendshme, Ivica Daçiq sot mori pjesë në dërgimin e pjesëtarëve të Njësisë së helikopterëve dhe Sektorit për situata emergjente të cilët u nisën drejt Maqedonisë së Veriut me helikopter kundër zjarreve Kamov Ka-32 për të ndihmuar në shuarjen e zjarreve pyjore, njofton korrespondenti i MIA-s nga Beogradi.
"Jemi të gatshëm të ndihmojmë kudo që është e nevojshme, natyrisht duke marrë parasysh procedurat dhe kërkesat e dërguara nga vendet e tjera", tha Daçiqi.
Ai shtoi se autoritetet e Maqedonisë së Veriut janë të njoftuar me aftësitë dhe kapacitetet e Serbisë kur bëhet fjalë për zjarret dhe se janë në kërkim të helikopterit Kamov Ka-32 sepse mund të bartë pesë tonë ujë.
“Kuptohet se njësitet tona të Sektorit për situata të jashtëzakonshme udhëtojnë së bashku me Njësinë e helikopterëve, sepse në këtë rast veprojnë së bashku”, tha Daçiq.
Ai ka theksuar se në situata të tilla reagon vetëm nëse kërkohet ndihmë.
Ministri rikujtoi se Serbia është pjesë e mekanizmit evropian për mbrojtje civile i cili është krijuar për të mbështetur përpjekjet për parandalimin e fatkeqësive dhe për të forcuar gatishmërinë e njësive të mbrojtjes civile për të vepruar në nivel kombëtar, rajonal dhe lokal.
Ai shtoi se anëtarët e Sektorit situatave të jashtëzakonshme si dhe Njësia e helikopterëve, në të kaluarën kanë ndihmuar vendet e tjera në operacionet e shuarjes së zjarrit, si dhe në disa situata të tjera emergjente.
Komandanti i Njësisë së helikopterëve të MPB-së, Nenad Nediq theksoi se helikopteri Kamov Ka-32 i prodhimit rus për herë të parë po dërgohet jashtë kufijve të Serbisë.
Njësia e helikopterëve të MPB-së posedon dy helikopterë Ka-32 të cilët dallohen nga rotori koaksial. Në Serbi arritën vitin e kaluar në dy variante.
Shefi i Departamentit për situata emergjente, Luka Çaushiq, deklaroi se pjesëtarët e MPB-së së Serbisë do të angazhohen për shuarjen e zjarreve në malin Serta në zonën e rrezikuar në komunat Negotinë, Konçe dhe Shtip.
Qeveria e Maqedonisë së Veriut më herët shpalli gjendjen e krizës për shkak të numrit të madh të zjarreve dhe u vendos që gjendja e krizës të zgjasë 30 ditë për shkak të valës së të nxehtit. qa/