• e shtunë, 23 nëntor 2024

Daçiq: Pa AKS-në nuk ka diskutim për planin franko-gjerman

Daçiq: Pa AKS-në nuk ka diskutim për planin franko-gjerman

Beograd, 13 dhjetor 2023 (MIA)- Kryetari i Partisë Socialiste të Serbisë dhe ministër i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiq, deklaroi sot se nuk do të ketë diskutim për zbatimin e planit franko-gjerman derisa nuk formohet Asociacioni komunave me shumicë serbe në Kosovë. 

Daçiqi i cili është bartës i listës zgjedhore "Ivica Daçiq- kryeministër", në intervistën për agjencinë Beta deklaroi se Serbia asnjëherë nuk do e pranojë pavarësinë e Kosovës dhe se shpreson që plani franko-gjerman nuk do të jetë pjesë e Kapitullit 35 të negociatave me Bashkimin Evropian. 

Ai tha se PSS-ja është parti patriotike, kurse në pyetjen nëse si patriotizëm mendon t'i nënshkruajë marrëveshjet nga Brukseli ose Uashingtoni ose të pranojë planin franko-gjerman dhe marrëveshjen e Ohrit, Daçiqi tha se qëllimi kryesor i autoriteteve në Beograd është se "nuk ka njohje të pavarësisë së Kosovës dhe anëtarësim në Kombet e Bashkura".

Ai shtoi se "15 vjet pas pavarësisë së vetëshpallur, Kosova nuk arriti ta konfirmoj pavarësinë e vet".

"Asnjëherë nuk e kemi pranuar Marrëveshjen e Ohrit në tërësi. Presidenti Vuçiq tha se në Kosovë dhe Metohi fillimisht duhet të formohet AKS dhe pastaj të bisedojmë për gjithçka", theksoi Daçiqi. ss/

Foto: arkivi MIA-s  

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR