• e shtunë, 23 nëntor 2024

Dështoi nisma e PDK-së për shpërndarjen e Parlamentit të Kosovës

Dështoi nisma e PDK-së për shpërndarjen e Parlamentit të Kosovës

Prishtinë, 30 maj 2024 (MIA) - Ka dështuar nisma e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për ta shpërndarë Kuvendin dhe për ta dërguar vendin në zgjedhje të parakohshme, më së largu në fillim të korrikut, sepse Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) nuk e mbështetën atë nismë, deklaroi lideri i PDK-së, Memli Krasniqi.
 

Mosunifikimin e opozitës, në Vetëvendosje e vlerësuan si konfirmim të mirëqeverisjes nga ana e Qeverisë aktuale.

"Sot, më 29 maj, ashtu siç e kam cekur si afat në letrën e dërguar tre liderëve politikë, të partive parlamentare shqiptare, duke ndier keqardhje për shtetin dhe qytetarët, ju njoftoj se mundësia për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës tashmë është ezauruar", ka thënë mbrëmë Krasniqi, transmetojnë mediat e Kosovës.

Ai është shprehur i habitur nga mosgatishmëria e LDK-së dhe AAK-së për të shkuar në zgjedhje dhe ironizoi me atë që e quajti "shans i humbur".

"Nuk më kujtohet një rast tjetër në historinë e demokracisë parlamentare ku Qeveria thotë ‘ejani të shkojmë në zgjedhje, jam e gatshme’ e opozita thotë ‘jo, vazhdoje mandatin deri në fund’”, është shprehur Krasniqi. fc/

Fotografia: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR