• e enjte, 26 dhjetor 2024

Dëshmimi i personave zyrtarë për vrasjen e dyfishtë të Vanjës dhe Pançes

Dëshmimi i personave zyrtarë për vrasjen e dyfishtë të Vanjës dhe Pançes

Shkup, 25 nëntor 2024 (MIA) – Në gjykimin për vrasjen e dyfishtë të Vanja Gjorçevska dhe Pançe Zhezhovski sot dëshmuan persona zyrtarë të cilët ishin të angazhuar që ta dërgojnë të akuzuarin Velibor Manev deri në vendin ku ishte varrosur trupi i Zhezhovskit. 

Dëshmitari Igor Janushev, person zyrtar i angazhuar për ngjarjen deklaroi se sipas dëshmive të Velibor Manevit, ata kishin lëvizur drejt Velesit, ku Velibori kishte deklaruar: “Këtu është vendi, këtu ka njeri të varrosur”. 

“Rruga deri në atë vend ishte e pakalueshme dhe me gropa, prandaj veturat i lamë më poshtë. Pas mbërritjes në vendin e quajtur Kulla, Velibori na tregoi edhe një vend të mbuluar me degë, pas çka e kthyem prapa në stacionin e policisë Kisella Vodë”, tha dëshmitari. 

Duke u përgjigjur në pyetjen e të akuzuarit Lubomir Palevski Pallço, ai deklaroi se gjatë procedurës parahetimore nuk ka biseduar me asnjërin nga të akuzuarit. 

Zoran Abaz, i punësuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme, dëshmoi se më 3.12.2023 ishte angazhuar për ndërmarrjen e veprimeve zyrtare për ta dërguar një person nga një vend në vend tjetër. 

“Pas marrjes së detyrës konkrete, e morëm personin dhe e dërguam deri në pikëpagesën Veles, ku e pritën kolegët. Velibori i jepte udhëzimet deri në vendin ku duhej të gërmohej gropa që të gjendet trupi. Kur filluan të punonin ishim këtu, pas kësaj duhej të ktheheshim në stacion, e morëm personin dhe u kthyem në stacion”, tha ai. 

Në pyetjen për shpejtësinë dhe ngjyrën e veturës zyrtare, të parashtruar nga i akuzuari Pallço, Abazi u përgjigj: “Nuk më kujtohet shpejtësia, ishim me veturë tonë të bardhë”.

Para seancës së sotme gjyqësore, prokuroret Zhaklina Kërstevska Josifovska dhe Ana Stojkoviq Dimitrovska deklaruan se ka dëshmi materiale të cilat e lidhin të akuzuarin e parë Lupço Palevski – Pallço me të dyja vrasjet. 

“Ka dëshmi materiale të cilat e lidhin të akuzuarin e parë Lupço Palevski Pallço me vrasjet e të miturës Vanja Gjorçevska dhe Pançe Zhezhovskit nga Velesi”, deklaruan ato. 

Lidhur me pohimet e të akuzuarit Vllatko Keshishov, i cili e ndryshoi deklaratën e parë dhe thotë se Palevski nuk ishte në vendin e vrasjes, por kishte fjetur në parti, prokurorët thanë se kjo deklaratë e Keshishov nuk ka vlerë. 

“Kjo deklaratë nuk ka vlerë dëshmuese, ndërsa të akuzuarit do të kenë mundësi të japin mbrojtjen e tyre gjatë gjykimit”, tha prokurorja Stojkoviq Dimitrovska. 

Në gjykimin e sotëm po merret në pyetje edhe dëshmitari Mirçe Mirçevski, i punësuar në MPB në departamentin për “Qyteti i sigurt”. 

Deri më tani, në seancat e kaluara gjyqësore dëshmuan nëna e Vanjës, vajza e Zhezhoskit dhe bashkëshorti i saj, si dhe shumë persona të përfshirë në hetimin për dy vrasjet, në mesin e të cilëve inspektorë dhe anëtarë të partisë politike “E djathta”. 

Ishte marrë në pyetje familja e babait të Vanjës, si dhe shumë të njohur të të akuzuarit Pallço. Në seancën e parë gjyqësore të mbajtur të akuzuarit Lupço Palevski, Boro Videvski, Velibor Manev dhe Vllatko Keshishov, si dhe babai i vajzës, Aleksandar Gjorçevski u deklaruan se nuk ndjehen fajtorë. Sipas akuzës, ata bashkë planifikuan grabitjen e vajzës 14-vjeçare me qëllim që të detyrojnë një anëtar të familjes së saj më të ngushtë të japë të holla si shpërblim. Përderisa grabitja e të dëmtuarit Pançe Zhezhovski në Veles ishte bërë me qëllim që ta detyrojnë që tua japë veturën “Citroen” që ta shfrytëzojnë për grabitje të fëmijës në Shkup.

E mitura Vanja dhe Pançe nga Velesi, të cilët ishin raportuar si të zhdukur më 27 dhe 24 nëntor, ishin gjetur të vdekur në afërsi të Shkupit dhe Velesit më 3 dhjetor 2023. Lidhur me këtë rast është i dyshuar edhe një person për ndihmë pas kryerjes së veprës penale kundër të cilit procedura do të zhvillohet veçmas.Gjykimin e udhëheq gjykatësi Ivica Stefanovski, ndërsa përfaqësues i akuzës është prokurorja Zhaklina Kërstevska. fc/

Fotografia: Arkivi i MIA-s

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR