• e martë, 24 dhjetor 2024

Buxheti i Kosovës para deputetëve të hënën e ardhshme, opozita thotë se nuk do ta votojë

Buxheti i Kosovës para deputetëve të hënën e ardhshme, opozita thotë se nuk do ta votojë

Prishtinë, 4 nëntor 2024 (MIA) - Partitë opozitare parlamentare të Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), kanë deklaruar se nuk do të votojnë propozim-buxhetin e Kosovës për vitin e ardhshëm, e cila pritet të jetë 3,6 miliardë euro, njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.

Pas vendimit të sotëm të Kryesisë së Kuvendit për ta futur propozimin e buxhetit në rend dite në seancën e 11 nëntorit, shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri deklaroi se deputetët e partisë së tij nuk do të votojnë për këtë propozim, sepse buxhetet e kaluara ndër vite të qeverisjes aktuale "nuk kanë lënë asnjë gjurmë, as në zhvillim, as në mirëqenie, as në ekonomi".

"Duke marrë parasysh se jemi plotësisht të bindur se Kosova mundet më mirë, ne për këtë buxhet nuk do të votojmë". Shpresa, mirëqenia dhe përkushtimi për ta bërë Kosovën më të mirë do të reflektohen në buxhetin e vitit të ardhshëm, Qeveria që do të dalë nga zgjedhjet e shkurtit, me kryeministër (kandidat për kryeministër i PDK-së) Bedri Hamza”, potencoi Abelard Tahiri përmes faqes së tij në Fejsbuk.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit tha se deputetët e partisë së tij nuk do ta votojnë buxhetin në formën, në të cilën ndodhet tani, por do të japin vërejtjet dhe sugjerimet e tyre.

"Ne si grup parlamentar i LDK-së do të jemi prezentë. Java e ardhshme do të jetë vendimtare për atë se si do të jetë buxheti i ardhshëm. Ne nuk do ta votojmë buxhetin. Ne do t'i japim vërejtjet tona, sugjerimet tona dhe nëse ato merren parasysh, atëherë do ta konsiderojmë (votimin) si mundësi", tha Gashi.

Sipas LDK-së, ky propozim-buxhet ka dy probleme ligjore dhe kushteuese.

"E para ka të bëjë me ndërhyrjen e buxhetit në ligjin e pagave të sektorit publik. Ndërsa problemi i dytë është se çfarë po përpiqen të bëjnë me ligjin për tatimin e patundshmërive", tha Gashi.

Edhe shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri deklaroi se subjekti i tij politik nuk do të votojë për buxhetin.

"Ky është një buxhet, i cili minoi shpresën e 80.000 personave të cilët punojnë në Kosovë për një pagë dinjitoze. Ky është një buxhet që nuk përfshin ndonjë projekt të rëndësishëm kapital. Ky është një buxhet që ne do ta kundërshtojmë fuqishëm dhe ky është një buxhet që do të rishikohet në mars të vitit të ardhshëm", tha Besnik Tahiri, duke shtuar se pas 9 shkurtit, kur do të zhvillohen zgjedhjet parlamentare, Kosova do të ketë Qeveri tjetër. rq/bsh/

Foto: arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR