• e enjte, 26 dhjetor 2024

Burime diplomatike: Stoltenbergu do të propozojë fond për Ukrainën prej 100 miliardë euro

Burime diplomatike: Stoltenbergu do të propozojë fond për Ukrainën prej 100 miliardë euro

Bruksel, 3 prill 2024 (MIA) - Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg do të propozojë formimin e fondit prej 100 miliardë euro për pesë vite për ndihmë të Ukrainës në luftën kundër Rusisë, publikuan mbrëmë burime diplomatike.

Për këtë do të bisedojnë 32 vendet e NATO-s sot në takimin e ministrave të Punëve të Jashtme në Bruksel, thonë burimet e njëjta.

"Ministrat do të bisedojnë për mënyrën më të mirë të organizimit që përkrahja e NATO-s për Ukrainën të jetë më e fuqishme, më e parashikueshme dhe më e qëndrueshme", deklaroi një përfaqësues anonim i Aleancës.

Në takimin nuk pritet vendim, por "bisedat për këtë do të vazhdojnë para samitit të NATO-s në Uashington në korrik", shtoi funksionari.

Për financimin e këtij fondi ende po bisedohet, por ideja është që secili vend-anëtar të Aleancës të kontribuojë sipas bruto prodhimit të vet vendor (BPV).

"Gjithçka që kontribuon për dinamikën e përkrahjes për Ukrainën shkon në drejtimin e duhur", tha një diplomat anonim i NATO-s, duke shtuar se kjo ide ende ngre shumë çështje mes alatëve, posaçërisht lidhur me financimin.

Ministrat, të cilët nesër do ta shënojnë 75-vjetorin nga Aleanca veriatlantike, dëshirojnë të bisedojnë edhe për mënyrat për përforcimin e përkushtimit të organizatës ndaj Ukrainës, thonë diplomatët.

Për sekretarin e ri të përgjithshëm do të bisedojnë edhe ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve të NATO-s, pasi mandati i Stoltenbergut skadon këtë vit.

Kryeministri holandez, Mark Rute, i cili zyrtarisht është kandidat, ka përkrahje prej 90 për qind të vendeve të Aleancës, shtojnë anketat diplomatike.

Kandidat tjetër për pasardhës të Stoltenbergut është presidenti rumun, Klaus Johanis. bsh/

Foto: EPA

QËNDRONI TË LIDHUR