• e enjte, 26 dhjetor 2024

Bujqit grek nesër në takim me Micotakis

Bujqit grek nesër në takim me Micotakis

Athinë, 13 shkurt 2024 (MIA) - Përfaqësues të bujqëve, gjithsej 15 persona nga e gjithë Greqia, në mesditë do të priten nga kryeministri grek Kirjakos Micotakis, takim nga i cili do të varet nëse do të vazhdojnë me bllokadat me intensitet të shtuar ose do të arrihet një zgjidhje, njoftoi korrespondentja e MIA-s nga Athina.

Bujqët grek tashmë tre javë protestojnë me më shumë se 55 blloqe të vendosura në të gjithë vendin, herë pas here bllokojnë rrugë, autostrada dhe vendkalime kufitare, siç është rasti me vendkalimin kufitar Nikin për në Maqedoninë e Veriut, ndërsa pas takimit të mbajtur të martën, kërkuan takim me Micotakis dhe i kumtuan kërkesat e tyre për uljen e shpenzimeve për prodhim.

Ata kërkojnë që nafta bujqësore të përjashtohet nga taksat, uljen e çmimit të energjisë elektrike në shtatë cent për kilovat orë, subvencion për ushqimin e kafshëve, kompensim 100 për qind dhe kompensim për të ardhurat e humbura nga produktet.

Thonë se nuk do të devijojnë nga kërkesat dhe paralajmërojnë përshkallëzimin e aktiviteteve në rast se nuk arrihet marrëveshje.

Dje bujqët nga nga Greqia veriperëndimore e kanë mbyllur tre orë vendkalimin kufitar Niki (Mexhitlia) drejt Maqedonisë së Veriut, por vetëm për automjetet transportuese, të cilat kryesisht janë kamionë që transportojnë linjit, ndërsa qarkullimi i automobilave nga dhe drejt vendit tonë ka vijuar rregullisht.

Nga ana tjetër, bujqët nga pjesa veriore e vendit janë drejtuar drejt vendkalimit kufitar Evzoni (Bogorodicë) përmes Polikastros, disa herë gjatë rrugës kanë hasur në blloqe policore, të cilat kanë mundur t'i shmangin përmes rrugëve lokale dhe anësore, ndërsa edhe pse paralajmëruan bllokadë disa orëshe për kamionët, megjithatë vendosën ta presin rezultatin e takimit të sotëm dhe kufiri mbeti i hapur.

Zëdhënësi i qeverisë greke, Pavlos Marinakis, në konferencën e djeshme për shtyp shprehi optimizëm për takimin e sotëm, duke shpjeguar se ky optimizëm buron, siç tha, nga fakti se bujqët e kuptojnë se pavarësisht vështirësive që hasin, kanë një Qeveri që ka ndërmarrë nisma për të mbështetur dhe nuk ka mbetur vetëm me fjalë.

Në të njëjtën kohë, ai përsëriti qëndrimin e kryeministrit grek se “dialogu nuk mund të zhvillohet me rrugë të mbyllura” dhe duhet të ketë qarkullim të lirë të qytetarëve, ndërsa vlerësimi i Marinakis është se nuk do të arrijnë deri në pikën bujqët t'i përforcojnë bllokadat. ls/ 

 

QËNDRONI TË LIDHUR