• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Brukseli vendos kornizë tëre për mbledhjen dhe sigurimin e informacioneve për udhëtarët ajror që hyjnë në BE

Brukseli vendos kornizë tëre për mbledhjen dhe sigurimin e informacioneve për udhëtarët ajror që hyjnë në BE

 Bruksel, 12 dhjetor 2024 (MIA) - Këshilli i Drejtësisë dhe Punëve të Brendshme të BE-së sot miratoi dy rregullore për krijimin dhe zbatimin e kornizës për mbledhjen dhe shpërndarjen e hershme të informacioneve për udhëtarët ajror (API), me të cilën pritet të përmirësojë sigurinë kufitare të bllokut dhe të forcojë luftën kundër terrorizmit dhe krimit të rëndë.

Sipas ministrit hungarez të Punëve të Brendshme Shandor Pinter, BE-ja nuk duhet të lejojë zonat gri në lidhje me personat që mbërrijnë në të me aeroplane.

 “Falë dy ligjeve të miratuara sot, organet e zbatimit të ligjit dhe shërbimet kufitare do të marrin paraprakisht informacione më të sakta dhe në kohë për të gjithë personat që janë në fluturime drejt BE-së”, theksoi Pinter.

 Sipas Rregullores për mbledhjen dhe dërgimin paraprak të informacioneve për udhëtarët, kompanitë ajrore do të jenë të detyruara t'u ofrojnë shërbimeve kufitare paraprakisht të dhëna për personat që udhëtojnë me aeroplanët e tyre në linjat nga vendet e treta drejt anëtarëve të Unionit. Këto të dhëna duhet të përfshijnë informacione mbi dokumentet e udhëtimit të pasagjerëve, si dhe detajet e fluturimit dhe bagazhit.

 Kjo, sipas Këshillit, do t'i lejojë autoritetet të kryejnë kontrolle paraprake për udhëtarët që vijnë, të vlerësojnë rreziqet e mundshme të sigurisë dhe t'i trajtojnë ato në mënyrë efektive, duke përshpejtuar kontrollet kufitare dhe do të garantojnë siguri më të madhe në kufijtë e jashtëm të BE-së.

 Për funksionimin e kornizës do të vendoset një sistem i centralizuar për transmetimin dhe ndarjen më të saktë të të dhënave, gjë që do të reduktonte barrën administrative.

 Këto dy rregullore do të zëvendësojnë legjislacionin aktual për dhënien e informacioneve për udhëtarët, të miratuar në vitin 2004.

 Sipas të dhënave statistikore, para pandemisë së vitit 2019 nëpërmjet rrugës ajrore në BE kanë hyrë ose kanë dalë mbi 500 milionë udhëtarë, gjë që tregon rëndësinë e trafikut ajror të udhëtarëve në luftën kundër krimit ndërkufitar dhe terrorizmit. qa/

Foto: Arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR