• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Brukseli e demanton Bislimin se Boreli do të rekomandojë heqjen e sanksioneve të BE-së për Kosovën

Brukseli e demanton Bislimin se Boreli do të rekomandojë heqjen e sanksioneve të BE-së për Kosovën

Prishtinë, 17 qershor 2024 (MIA) - Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, sot në konferencë për media në Bruksel reagoi lidhur me deklaratën e zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, i cili javën e kaluar tha se ka informacione se është rekomanduar heqja e masave të BE-së ndaj Kosovës.

Stano, siç transmetojnë mediat në Prishtinë, theksoi se raporti për hapat e ndërmarrë nga Kosova për përmbushjen e detyrimeve të saj i është dorëzuar përfaqësuesit të lartë të BE-së për Politikë të Jashtme, Zhozep Borel nga Këshilli i BE-së, por shtoi se nuk ka nevojë që askush të spekulojë për përmbajtjen dhe kohën e raportimit. 

"Nuk na duhet askush nga jashtë që të spekulojë rreth përmbajtjes dhe orarit. Kjo do të bëhet në një kohë të përshtatshme për përfaqësuesin e lartë dhe vendet  anëtare, të cilët të parët do të shohin dhe diskutojnë përmbajtjen, para se të marrin vendimet e nevojshme. Dhe kur kjo të ndodhë, atëherë do të shpallim rezultatet. Nuk ka hapësirë ​​dhe arsye për spekulime publike nga aktorë të ndryshëm", deklaroi Stano.

Ai theksoi se raporti i Borelit për Kosovën është "çështje institucionale mes përfaqësuesit të lartë dhe vendeve anëtare". 

"Kjo është çështje institucionale ndërmjet përfaqësuesit të lartë dhe shteteve anëtare. Vendet anëtare janë ato që kanë kërkuar raportin dhe natyrisht përfaqësuesi i lartë do t'ua dërgojë raportin vendeve anëtare. Ata do të jenë të parët që do të dinë se kur do të ndodhë dhe çfarë përmban raporti dhe kjo nuk ka ndodhur ende", theksoi Stano.

Të enjten e kaluar, më 13 qershor, zëvendëskryeministri dhe kryenegociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi deklaroi se ka informacione se në raportin e Borelit është rekomanduar heqja e masave të BE-së ndaj Kosovës. 

Në Komisionin kuvendor për Integrimet Evropiane, Bislimi tha se "përmbajtja e raportit është pozitive", informon korrespondenti i MIA-s nga Prishtina. 

"Raporti i zotëri Borelit është parakusht për anëtarësim në Këshillin e Evropës, ai është përgatitur në prill, por ka pasur hezitim për ta dërguar në Komision. Raporti është dashur të dorëzohet (më 11 qershor), por një pjesë e Komisionit ka kërkuar një vonesë të vogël... Informacionet që kam janë se përmbajtja e raportit është pozitive dhe rekomandon heqjen e masave", tha Bislimi.

Masat restriktive ndaj Kosovës ishin vendosur para një viti si përgjigje ndaj përshkallëzimit të situatës së sigurisë në veri të Kosovës, kur Kosova dërgoi në ndërtesat e komunave kryetarët shqiptarë të dalë nga zgjedhjet që u bojkotuan nga serbët.

Ndër masat e BE-së janë suspendimi i përkohësisht i punës së trupave të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit. Kosova, po ashtu, nuk ftohet në ngjarjet e nivelit të lartë dhe vizitat bilaterale janë suspenduar, përveç atyre që fokusohen në adresimin e krizës në veri të Kosovë në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

Masat tjera janë suspendimi i programit të fondeve për Kosovën në kuadër të IPA 2024 (Fondet e Para-Anëtarësimit).

Pas masave ndëshkuese, Kosova mbeti jashtë granteve të cilat i miratoi BE-ja në korrik të vitit të kaluar, në vlerë prej 2,1 miliardë euro. fc/

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR