• e shtunë, 06 dhjetor 2025

Britania e Madhe, Kanadaja dhe Australia e njohën Palestinën si shtet sovran

Britania e Madhe, Kanadaja dhe Australia e njohën Palestinën si shtet sovran

Londër, Otavë, Kanberrë, 21 shtator 2025 (MIA) – Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja dhe Australia sot njoftuan se formalisht e njohin Palestinën si shtet sovran. 

Kryeministri britanik Kir Starmer e publikoi vendimin përmes një video porosie. 

"Të përballur me terrorin në rritje në Lindjen e Mesme, ne po veprojmë për të mbajtur gjallë mundësinë e paqes dhe një zgjidhjeje me dy shtete. Kjo do të thotë një Izrael i sigurt dhe i mbrojtur së bashku me një shtet të qëndrueshëm palestinez – ndërsa për momentin nuk kemi asnjërën", tha Starmer, duke shtuar se momenti për të njohur shtetësinë palestineze "ka ardhur tani".

Gati në të njëjtën kohë, shtetin palestinez e njohën edhe Kanadaja dhe Australia. 

Kryeministri kanadez Mark Karni njoftoi se Kanadaja zyrtarisht e njeh shtetin e Palestinës dhe e bën këtë me partnerë ndërkombëtarë që ta ruajë perspektivën për zgjidhje me dy shtete. 

“Për shumë dekada, angazhimi i Kanadasë për ‘një zgjidhje me dy shtete’ është bazuar në pritjen se ky rezultat do të arrihej përfundimisht si pjesë e një zgjidhjeje të negociuar. Megjithatë, kjo mundësi është ‘gërryer vazhdimisht dhe seriozisht’ nga disa zhvillime, duke përfshirë sulmin e udhëhequr nga Hamasi ndaj Izraelit më 7 tetor 2023, rezolutën e parlamentit izraelit që mbështet aneksimin e Bregut Perëndimor të pushtuar dhe kufizimet e qeverisë izraelite për ndihmën humanitare”, bëhet e ditur në deklaratën e Karnit.

Kryeministri australian Entoni Albanaze, njoftoi se Kanberra i bashkëngjitet Londrës dhe Otavës në marrjen e këtij vendimi historik. 

"Australia njeh aspiratat legjitime dhe të hershme të popullit të Palestinës për një shtet të vetin. Akti i sotëm i njohjes pasqyron angazhimin e hershëm të Australisë për një zgjidhje me dy shtete, e cila ka qenë gjithmonë e vetmja rrugë drejt paqes dhe sigurisë së qëndrueshme për popullin izraelit dhe palestinez", thekson Albaneze. fc/

Foto: EPA

QËNDRONI TË LIDHUR