• e enjte, 26 dhjetor 2024

Borell në Parlamentin Evropian: Duhet të jetë e mundur të kritikohet Izraeli pa akuza për antisemitizëm

Borell në Parlamentin Evropian: Duhet të jetë e mundur të kritikohet Izraeli pa akuza për antisemitizëm

Strasburg, 22 nëntor 2023 (MIA) - Duhet të jetë e mundur të kritikohen veprimet e Izraelit pa akuza se kritika e tillë nënkupton urrejtje ndaj hebrenjve, deklaroi sot në Parlamentin Evropian përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Zhosep Borell.

Pasi u kthye nga misioni pesë-ditor në Lindjen e Afërt, Borell foli në Parlamentin Evropian në Strasburg për luftën në Gazë.

Ai dënoi sulmin e 7 tetorit nga Hamasi në jug të Izraelit, duke e quajtur atë masakrën më të madhe të hebrenjve që nga Lufta e Dytë Botërore, por gjithashtu dënoi "katastrofën humanitare" që pasoi në Rripin e Gazës.

"Rezultati i bllokadës (izraelite) (të Rripit të Gazës), e cila ka penguar dërgimin e materialeve thelbësore, është gjithashtu një lloj masakre," tha Borell, një socialist spanjoll, transmeton Hina.

"Duhet të njihet e drejta e Izraelit për t'u mbrojtur, por në të njëjtën kohë të indinjohet nga ajo që po ndodh me civilët palestinezë, tha Borell, duke theksuar se duhet të jetë e mundur të kritikohet politika e Izraelit "pa akuza se kjo do të thotë urrejtje ndaj hebrenjve".

Ai tha se ishte ndër të parët që kundërshtoi ndërprerjen e furnizimit me ujë dhe energji elektrike në Rripin e Gazës, një shkelje e ligjit ndërkombëtar, dhe i tha Izraelit se enklavës duhet t'i jepet akses në ilaçe, duke përfshirë anestetikë.

Ai theksoi se BE-ja është gjithashtu jashtëzakonisht e shqetësuar për sulmet e kolonëve izraelitë ndaj popullatës civile palestineze në territorin tjetër palestinez - Bregun Perëndimor të pushtuar.

Borell tha se konflikti nuk mund të zgjidhet me mjete ushtarake dhe se Hamasi nuk mund të qëndrojë në pushtet në Gaëa, por as nuk mund të jetë nën kontrollin e Izraelit.

Komisioneri i BE-së për Menaxhimin e Krizave Janez Lenarçiq paralajmëroi se të paktën 12,000 njerëz kanë vdekur në Rripin e Gazës, duke përfshirë një numër të madh gra dhe fëmijë, se 1,7 milionë njerëz janë refugjatë dhe ka mungesë ushqimi, ilaçesh dhe ujit të pijshëm.

Ndihma ushqimore humanitare plotëson vetëm 10 për qind të nevojave, vetëm nëntë nga 35 spitalet e Gazës janë duke punuar, vetëm 50 kamionë me furnizime mbërrijnë çdo ditë dhe asnjë nuk ka ardhur për disa ditë javën e kaluar, shtoi Lenarçiç, duke paralajmëruar se duhet të ndalet dhuna nga kolonët ekstremistë izraelitë në Bregun Perëndimor.

Eurodeputeti kroat Tonino Picula, nga klubi i socialistëve dhe demokratëve, tha se Izraeli ka të drejtë të mbrohet dhe të luftojë kundër terroristëve të Hamasit, por se nuk duhet të shkelë ligjin ndërkombëtar duke privuar civilët nga nevojat themelore.

Ai përshëndeti marrëveshjen e sotme të armëpushimit dhe lirimin e disa prej pengjeve, por tha se "duhen shumë hapa të tjerë" për të krijuar një shtet sovran palestinez "që do të jetë në paqe me shtetin izraelit". ls/

Foto: EPA

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR