• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Borell dhe Varhei: Gjenocidi në Srebrenicë është një nga momentet më të errëta në historinë moderne

Borell dhe Varhei: Gjenocidi në Srebrenicë është një nga momentet më të errëta në historinë moderne

Bruksel, 10 korrik 2024 (MIA) - Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian (BE) Zhozep Borell dhe komisari evropian për zgjerim Oliver Varhei sot vlerësuan se "gjenocidi në Srebrenicë, para 29 vitesh, është një nga momentet më të errëta në historinë moderne evropiane. Është detyra jonë të nderojmë mbi 8.300 djem dhe burra që ishin vrarë në mënyrë sistematike në kodrat rreth Srebrenicës", citohet në kumtesën e përbashkët të përfaqësuesve të BE-së.

Borell dhe Varhei apelojnë te "liderët ta hedhin poshtë retorikën për ndarje dhe të veprojnë me të vërtetën, drejtësinë, besimin dhe dialogun".

"Rimëkëmbja e plagëve nga e kaluara kërkon njohje të fakteve historike, nderim dhe përkujtim të viktimave, identifikim të atyre që ende udhëhiqen si të zhdukur dhe nxjerrjen e autorëve para drejtësisë. Kjo është e rëndësishme për përballjen me rrënjët e urrejtjes që çuan në gjenocid", shtohet në kumtesë.

"Së bashku duhet të ndërtojmë ura të pajtimit. Mes nesh nuk ka vend për ata që e mohojnë gjenocidin, mundohen ta rishkruajnë historinë dhe t'i lavdërojnë krimet e luftës", theksojnë Borell dhe Varhei.

Në kumtesë theksohet se në mars të vitit 2024, Këshilli Evropian vendosi t'i hapë negociatat për inkuadrim të Bosnja e Hercegovinës në BE.

"Kjo është një mundësi kyçe që Bosnja e Hercegovina të përparojë në reformat me qëllim që të përmirësohet demokracia, prosperiteti dhe siguria për qytetarët e BeH-së dhe të afrohet vendi drejt anëtarësimit në BE", shtohet në kumtesë.

Borell dhe Varhei e përsëritën "përkushtimin e tyre të qartë për të ardhmen e Bosnja e Hercegovinës në BE si vend i vetëm, i bashkuar dhe sovran".

Në Qendrën Memoriale Potoçari nesër do të shënohet 29-të vjetori i gjenocidit në Srebrenicë. sa/

Foto: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR