• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Borel: Ukraina duhet të forcojë mbrojtjen e saj kundërajrore për të zmbrapsur sulmet kriminale ruse

Borel: Ukraina duhet të forcojë mbrojtjen e saj kundërajrore për të zmbrapsur sulmet kriminale ruse

Bruksel, 22 korrik 2024 (MIA) - Intensifikimi i sulmeve raketore ruse ndaj Ukrainës, tregon se vendit i duhet të forcojë mbrojtjen e saj kundërajrore, tha përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Zhosep Borel në një konferencë për media pas përfundimit të mbledhjes së sotme të Këshillit të Punëve të Jashtme (FAC) të Unionit.

"Ajo mbrojtje duhet tani. Diskutuam dhe bëmë përmbledhje të asaj që mund të ofrojmë... Shtetet anëtare shqyrtuan mundësinë e rritjes së mbështetjes për Ukrainën për të zmbrapsur sulmet ajrore kriminale", ka thënë Boreli duke theksuar se pothuajse të gjithë ministrat "dënuan intensifikimin e sulmeve me raketa ruse ndaj Ukrainës dhe veçanërisht sulmit të fundit me raketa në spitalin e fëmijëve në Kiev”.

Sipas tij, çështja e dytë që është diskutuar në Këshill për Ukrainën është infrastruktura energjetike, në kushtet kur një përqindje e madhe e objekteve të prodhimit të energjisë elektrike ukrainase janë dëmtuar ose shkatërruar.

"Tani është verë, por imagjinoni çfarë do të ndodhë gjatë dimrit. (Presidenti rus Vlladimir) Putin dëshiron ta fusë Ukrainën në errësirë", ka thënë Boreli, duke shtuar se ai u kërkoi vendeve anëtare të ofrojnë më shumë mbështetje për rindërtimin dhe forcimin e kapaciteteve të prodhimit të energjisë elektrike në Ukrainë.

Ai gjithashtu theksoi se e ashtuquajtura Formula e paqes së presidentit ukrainas Volodimir Zelenski është i vetmi plan paqësor i mbështetur nga Unioni.

"Politika e BE-së nuk ka të bëjë me luftën. Fuqishëm e refuzojmë një pretendim të tillë. Kemi analizuar deklaratat dhe veprimet e kryeministrit hungarez dhe ministrit të Punëve të Jashtme të Hungarisë dhe me përjashtim të vetëm një vendi, të gjithë anëtaret e tjera kanë kritikuar ashpër sjelljen e tyre", ka thënë Boreli.

Ai theksoi se nëse dikush dëshiron të flasë për një “parti ushtarake”, le të flasë për Putinin dhe jo për Bashkimin Evropian.

"I vetmi që është pro luftës është Putini i cili thërret në ndarje dhe dorëzimin e Ukrainës si parakusht për çfarëdo bisede dhe çdo armëpushim. Dhe ai dërgon çdo ditë këtë në formën e mijëra raketave, dronëve, bombave dhe një ofensive ushtarake të intensifikuar”, ka thënë Boreli.

Sipas tij, BE-ja dhe Ukraina duan një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme që do të garantojë lirinë dhe pavarësinë e Ukrainës dhe do të sanksionojë krimet e luftës të kryera që nga fillimi i luftës.

Sipas tij, vendime të tilla janë veçanërisht të rëndësishme duke pasur parasysh marrëdhëniet e tensionuara në rajonin e Kaukazit dhe do të kontribuojnë në forcimin e partneritetit evropian me Jerevanin.

Foto: skrinshot

 

QËNDRONI TË LIDHUR