• e premte, 27 dhjetor 2024

Borel: Rusia të vazhdojë të respektojë dispozitat e Marrëveshjes për ndalim të testeve bërthamore

Borel: Rusia të vazhdojë të respektojë dispozitat e Marrëveshjes për ndalim të testeve bërthamore

Bruksel, 2 nëntor 2023 (MIA) - Bashkimi Evropian shpreh keqardhje për nënshkrimin e sotëm të vendimit për tërheqjen e ratifikimit rus të Traktatit gjithëpërfshirës për ndalim të testeve bërthamore e cila vjen në një kohë të luftës ilegale të agresionit rus kundër Ukrainës dhe pas disa muajsh retorikë të papërgjegjshme dhe kërcënimesh për të vazhduar testet bërthamore, deklaroi sot përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Zhosep Borel.

"Të gjitha vendet anëtare të BE-së kanë ratifikuar Traktatin gjithëpërfshirës për ndalim të testeve bërthamore dhe kanë punuar për shumë vite për ta forcuar atë dhe për ta vënë në fuqi. Marrëveshja është instrument kyç për çarmatimin bërthamor dhe mospërhapjen dhe ka vendosur një normë të fuqishme kundër testimit bërthamor që respektohet në mbarë botën", theksoi Borel në deklaratën me shkrim.

Sipas tij, siç raporton korrespondenti i MIA-s nga Brukseli, për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare është me rëndësi vendimtare që të gjitha shtetet ta respektojnë plotësisht moratoriumin për testimin e armëve bërthamore dhe të përmbahen nga çfarëdo aktiviteti që bie ndesh me qëllimet dhe dispozitat e Marrëveshjes.

Ai thekson se në vitin 2021 Marrëveshja u ratifikua nga tetë vende të tjera, duke e çuar numrin e përgjithshëm të vendeve që e kanë ratifikuar atë në 178, por ende nuk ka hyrë në fuqi sepse nuk është ratifikuar nga tetë nga 44 vendet nënshkruese. 

Sipas Borelit "vendimi i pajustifikuar" i Rusisë për të tërhequr ratifikimin e Traktatit paraqet një pengesë serioze ndaj angazhimit të saj ndaj arkitekturës së sigurisë ndërkombëtare dhe minon përpjekjet e vazhdueshme për mospërhapjen bërthamore dhe çarmatimin bërthamor.

Ai shton se BE-ja duhet të vazhdojë t'u bëjë thirrje të gjitha vendeve që ende nuk e kanë ratifikuar Marrëveshjen, veçanërisht vendet nënshkruese që ta bëjnë këtë pa parakushte apo vonesa të mëtejshme. qa/

Foto: arkivi i MIA-s

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR