• e enjte, 26 dhjetor 2024

Borel: Përshkallëzimi vazhdon dhe po bëhet më i rrezikshëm, nuk do ta tolerojmë këtë

Borel: Përshkallëzimi vazhdon dhe po bëhet më i rrezikshëm, nuk do ta tolerojmë këtë

Beograd, 23 qershor 2023 (MIA) - Shefi i diplomacisë evropiane, Zhosep Borel deklaroi se edhe krahas takimit të djeshëm në Bruksel, përshkallëzimi në veri të Kosovës vazhdon dhe po bëhet më i rrezikshëm dhe se kjo nuk do të tolerohet, njofton korrespondenti i MIA-s nga Beogradi.

“Shumë i alarmuar rreth situatës në veri të Kosovës: Arrestime të jashtëligjshme të serbëve të Kosovës dhe marshimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në Mitrovicën e Jugut; pasuar nga retorika e ashpër e Serbisë. Pavarësisht takimit të krizës dje, përshkallëzimi vazhdon dhe po bëhet më i rrezikshëm. Nuk do ta tolerojmë këtë”, ka shkruar Boreli në llogarinë e tij në Tuiter.

Një ditë më parë, Boreli priti në takime të ndara kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Takimet përfunduan pa ndonjë rezultat. Në konferencën për media pas takimeve Boreli ka thënë se pati “pajtim për nevojën për zgjedhje të reja”.

Edhe në këtë konferencë, Boreli ka kërkuar “hetim të detajuar” për trajtimin e serbëve të arrestuar, ndërsa kërkoi lirimin e tre policëve të Kosovës që po mbahen në Serbi.

QËNDRONI TË LIDHUR