• e enjte, 26 dhjetor 2024

Borel për vizitë disaditore në Guatemalë

Borel për vizitë disaditore në Guatemalë

Bruksel, 13 janar 2024 (MIA) - Përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borel nga sot deri më 16 janar do ta vizitojë Guatemalën, si shprehje e mbështetjes së fuqishme të Unionit për demokracinë në këtë vend të Amerikës Qendrore.

Siç njofton korrespondenti i MIA-s nga Brukseli, gjatë vizitës së tij të parë në këtë vend, Borel do të takohet me presidentin e sapozgjedhur të Guatemalës, Bernardo Arevalo me të cilin do të diskutojë për forcimin e partneritetit dhe dialogut BE-Guatemalë, prioritetet e qeverisë së re dhe sferat për bashkëpunim të mundshëm me interes të ndërsjellë.

Në kuadër të vizitës, përfaqësuesi i lartë i BE-së nesër do të marrë pjesë në ceremoninë e betimit të Arevalos dhe zëvendëses së tij, Karin Herera Agilar.

Borel do të ketë gjithashtu takime me përfaqësues të tjerë të lartë të qeverisë që do të marrin pjesë në ceremoni, duke përfshirë presidentët e Kilit dhe Paraguait, Gabriel Borik dhe Santiago Penja; nënpresidentin e Brazilit Zheraldo Alkmin dhe shefen e diplomacisë meksikane Alisia Barcena Ibara.

Gjatë ditës së nesërme, Borel do të takohet edhe me aktivistët e të drejtave të njeriut Virginia Lapara, Klaudia Gonzalez dhe Aroldo Vaskez, si dhe me përfaqësues të autoriteteve vendase dhe sektorit privat.

Të hënën, Borel do ta vizitojë rajonin Peten, ku do të ketë takim me liderë lokalë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe aktivistë që punojnë për zbatimin e programit të mbrojtjes së pyjeve tropikale të mbështetur nga BE.

Në prag të vizitës së Borelit në Guatemalë, Këshilli i BE-së miratoi dje një vendim për vendosjen e një Kornize masash kufizuese për mbështetjen e demokracisë dhe transferimit paqësor dhe ligjor të pushtetit në vend.

Sipas Këshillit Evropian, BE-ja si një partner afatgjatë i Guatemalës, mbetet plotësisht i përkushtuar për të mbështetur zhvillimin gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm në vend për të mirën e të gjithëve.

“Promovimi dhe forcimi i qeverisjes demokratike dhe sundimit të ligjit është gjithmonë pjesë e domosdoshme e kësaj përpjekjeje”, thuhet në komunikatë. 

Foto: arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR