• e enjte, 26 dhjetor 2024

Borel: Ofensivë izraelite në Rafa do të kishte pasoja katastrofike

Borel: Ofensivë izraelite në Rafa do të kishte pasoja katastrofike

Bruksel, 10 shkurt 2024 (MIA) - Planet izraelite për ofensivë ushtarake në Rafa në Rripin e Gazës janë "alarmante", vlerësoi përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Zhozep Borel.

"Raportet për ofensivën ushtarake izraelite në Rafa janë alarmante", tha Boreli, duke shtuar se operacioni i tillë do të ketë pasoja katastrofike, duke e përkeqësuar edhe ashtu situatën e keqe humanitare. 

Ai në rrjetin social X, ish Tuiter përsëriti se 1,4 milionë palestinezë për momentin janë në Rafa pa vend të sigurt ku mund të shkojnë që të strehohen. 

Kryetari i atij qyteti, Ahmed Al-Sufi, paralajmëroi për pasoja të mundshme katastrofike në rast se Izraeli e kryen operacionin e tij të paralajmëruar në Rafa me qëllim që t'i eliminojë trupat e Hamasit, duke thënë se "çdo aksion ushtarak i cili ka më shumë se 1,4 milionë palestinezë do të shkaktojë masakër dhe gjakderdhje". 

"I bëjmë thirrje bashkësisë ndërkombëtare dhe njerëzve në botë që ta ndërprejnë gjenocidin ndaj popullit palestinez", deklaroi El Sufi për Al Zhezira, duke shtuar se qyteti po lufton me uri për shkak të mungesës së rezervave dhe se ndihma e cila vjen përgjatë vendkalimit kufitar Rafa mjafton vetëm për 10 për qind të popullatës e cila gjendet aty. 

Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu, siç njoftoi sot më parë Tajms of Izrael, beson se, duke pasur parasysh presionin ndërkombëtar, Izraeli ka vetëm një muaj që ta përfundojë operacionin në qytetin Rafa, qëllimi i të cilit është që t'i mposht batalionet e tjera operative të Hamasit në Gazë. 

Më parë, kabineti i kryeministrit izraelit njoftoi se Benjamin Netanjahu e ka urdhëruar armatën izraelite (IDF) "t'i dorëzojë qeverisë plan të kombinuar të popullatës dhe shkatërrimin e batalioneve të Hamasit të cilat fshihen në Rafa". 

Shefi i Shtatmadhorisë së IDF-së, Herzi Halevi e ka informuar Netanjahun në seancën e kabinetit ushtarak në të cilën është biseduar për operacionin në Rafa se forcat e tij janë të gatshme të veprojnë në atë qytet, por se, siç ka theksuar, është e nevojshme që qeveria së pari të vendosë se çka dëshiron të bëjë me banorët e zhvendosur në Gazë. 

Rafa është qyteti më jugor në Rripin e Gazës, ku shumica e 2,2 milionë banorëve të Gazës u strehuan pas fillimit të konfliktit mes Izraelit dhe Hamasit. fc/

Fotografia: EPA

QËNDRONI TË LIDHUR