• e enjte, 26 dhjetor 2024

Borel në përvjetorin e Marrëveshjes së Ohrit midis Beogradit dhe Prishtinës: Është koha që Serbia dhe Kosova të kalojnë në një epokë të re evropiane

Borel në përvjetorin e Marrëveshjes së Ohrit midis Beogradit dhe Prishtinës: Është koha që Serbia dhe Kosova të kalojnë në një epokë të re evropiane

Bruksel, 18 mars 2024 (MIA) - Është koha që edhe Kosova edhe Serbia të ndërpresin rrethin vicioz të krizave dhe tensioneve dhe të kalojnë në një epokë të re evropiane, prandaj presim që liderët e tyre të tregojnë përgjegjësi, vizion dhe lidership në arritjen e progresit të mëtejshëm të Marrëveshjes për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve të ndërsjella të nënshkruar në Ohër më 18 mars të vitit 2022, thuhet në mesazhin e përfaqësuesit të lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri të BE-së, Zhosep Borel me rastin e përvjetorit të arritjes së marrëveshjes.

"Marrëveshja ofron një të ardhme më të mirë për qytetarët e Kosovës dhe Serbisë dhe për gjithë rajonin. Është një shans që nuk duhet humbur. Bashkimi Evropian mbetet i gatshëm të ndihmojë Kosovën dhe Serbinë në çdo hap, por ata janë ata që duhet t'i ndërmarrin ato hapa dhe të ecin përpara", thuhet në porosinë e Borelit.

Sipas Borelit, siç informon korrespondenti i MIA-s nga Brukseli, arritja e marrëveshjes që premton paqe, stabilitet dhe marrëdhënie të mira fqinjësore midis Beogradit dhe Prishtinës në kohën e luftës totale të paprecedentë në kontinentin evropian, ishte një arritje e rëndësishme, sepse për të parën herë gjatë dialogut të ndërmjetësuar nga BE, të dyja palët ranë dakord për parametra të qartë që definojnë trajektoren e procesit për normalizimin e marrëdhënieve të tyre.

"Kjo marrëveshje dhe zbatimi i saj tregojnë qartë se e ardhmja e të dy partnerëve është në Bashkimin Evropian. Megjithatë, është për të ardhur keq që përkundër përpjekjeve të mëdha të BE-së dhe komunitetit më të gjerë ndërkombëtar, deri më tani ka pasur progres shumë të kufizuar si nga Kosova ashtu edhe nga Serbia në zbatimin e obligimeve që kanë në këtë Marrëveshje", thekson Borel.

Ai thekson se BE-ja ka rikujtuar vazhdimisht se Marrëveshja është plotësisht e obligueshme sipas të drejtës ndërkombëtare dhe prandaj “çdo mungesë e implementimit” jo vetëm që kërcënon integrimin evropian të palëve, por dëmton edhe reputacionin e tyre si partnerë të besueshëm".

Me Marrëveshjen e arritur në Ohër parashihen hapa konkretë për implementimin e asaj që u ra dakord në Bruksel më 27 shkurt, me qëllim që të ndihmohet Beogradi dhe Prishtina që të bëjnë përparim në normalizimin e marrëdhënieve të tyre. Versioni përfundimtar i Marrëveshjes së Ohrit u harmonizua pas rreth 12 orësh negociata mes presidentit serb Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrit të Kosovës Albin Kurti të ndërmjetësuar nga Borel dhe i dërguari special i BE-së për dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës, Miroslav Lajçak.

Në bisedimet në Ohër ishin të pranishëm edhe presidenti Stevo Pendarovski, kryeministri i atëhershëm Dimitar Kovaçevski dhe zëvendësndihmës sekretari amerikan i shtetit për Çështje evropiane dhe euroaziatike dhe përfaqësuesi special për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Eskobar.

Foto: arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR