• e shtunë, 23 nëntor 2024

Borel: Do të propozojmë që regjimi i sanksioneve për të drejtat e njeriut të BE-së të mbajë emrin e Navalnit

Borel: Do të propozojmë që regjimi i sanksioneve për të drejtat e njeriut të BE-së të mbajë emrin e Navalnit

Bruksel, 19 shkurt 2024 (MIA) - Përfaqësuesi i lartë i BE-së për Punë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borel bëri të ditur sot se do t'u propozojë ministrave evropianë pjesëmarrës në seancën e Këshillit të Punëve të Jashtme që regjimi i sanksioneve të Unionit për shkak të mosrespektimit të të drejtave të njeriut të emërtohet sipas liderit të ndjerë opozitar rus, Andrej Navalni.

Boreli paralajmëroi se në seancën e Këshillit do të marrë pjesë edhe gruaja e Navalnit, Julia Navalni e cila do të japë një mesazh politik se si të mbështetet opozita në Rusi kundër regjimit të presidentit Vlladimir Putin.

"Gjatë fundjavës shumë njerëz protestuan në rrugët e Rusisë në Shën Peterburg dhe Moskë kundër represionit. Shumë prej tyre janë arrestuar dhe dënuar dhe ne duhet t'u shprehim mbështetjen tonë politike", ka thënë Borel para fillimit të seancës së Këshillit.

Ai shtoi se përveç mbështetjes së opozitës ruse në luftën e tyre për liri, në takim do të diskutohet edhe mbi mbështetjen politike dhe ushtarake të BE-së për Ukrainën në prag të dyvjetorit të fillimit të agresionit rus kundër vendit si dhe zhvillimet në Lindjen e Mesme.

Borel ka thënë se për momentin brenda BE-së nuk ka unitet në lidhje me qëndrimin për t'i bërë thirrje Izraelit që të përmbahet nga operacioni ushtarak në Rafah në pjesën jugore të Rripit të Gazës në kushte kur 1.7 milionë njerëz janë nën presion në kufirin egjiptian dhe gjenden në rrugët e qytetit ku çdo sulm do të shkakton humbjen e shumë jetëve njerëzore.

E vetmja rrugë është lirimi i pengjeve dhe armëpushim i përhershëm i cili do të mundësojë të kërkohet zgjidhje politike, shton Boreli.

Në pyetjen e gazetarëve nëse BE planifikon të njohë "pavarësinë e Palestinës", Borel u përgjigj se njohja e shteteve nuk është në kompetencë të Unionit, por që janë vendime individuale të vendeve anëtare dhe se disa prej tyre tashmë kanë bërë këtë.

Ai shtoi se në Këshillin e Punëve të Jashtme të BE-së do të marrë pjesë edhe koordinatorja e lartë e Kombeve të Bashkuara për ndihmë humanitare dhe rindërtim për Gazën, Sigrid Kaag e cila do të ketë shkëmbim jozyrtar me ministrat evropianë për situatën në terren, ndërsa shefat e diplomacisë do të diskutojnë edhe për zhvillimet në Sahel dhe angazhimin e BE-së në këtë rajon afrikan.

Foto: EBS

QËNDRONI TË LIDHUR