• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Borel: Do të kërkojmë përgjegjësi nga Rusia dhe do të imponojmë çmim shtesë për vdekjen e Navalnit

Borel: Do të kërkojmë përgjegjësi nga Rusia dhe do të imponojmë çmim shtesë për vdekjen e Navalnit

 Bruksel, 19 shkurt 2024 (MIA) - Shefi i diplomacisë evropiane, Zhozep Boreli  sot me rastin e vdekjes së liderit të opozitës ruse, Aleksej Navalni deklaroi se BE-ja, në bashkëpunim të ngushtë me partnerët e saj nuk do të kursejë përpjekje që të kërkojë përgjegjësi për udhëheqjen politike ruse dhe autoritetet ruse dhe të imponojnë një çmim shtesë për veprimet e tyre, ndër të tjera edhe përmes sanksioneve.

Boreli, në një kumtesë së publikuar në emër të BE-së, theksoi se Rusia duhet të lejojë "një hetim ndërkombëtar të pavarur dhe transparent për rrethanat e vdekjes së papritur të Navalnit" dhe i bëri thirrje Rusisë menjëherë dhe pa kushte t'i lirojë të gjithë të burgosurit e tjerë politikë. 

 Ai theksoi se BE-ja është e indinjuar për shkak të vdekjes së Navalnit dhe  përsëri e akuzoi presidentin rus Vladimir Putin dhe autoritetet ruse se e mbajnë "përgjegjësinë përfundimtare" për vdekjen e politikanit të opozitës ruse. Ai, gjithashtu kërkoi nga Rusia që menjëherë t'i lirojë  personat të cilët u arrestuan derisa  bënin homazh Navalnit, duke pretenduar se "disa qindra njerëz janë arrestuar".

Boreli vlerësoi se "vdekja e papritur dhe tronditëse" e Navalnit është një tjetër shenjë, siç pretendon ai, "represioni i përshpejtuar dhe sistematik në Rusi". Ai theksoi se në takimin e sotëm, ministrat e punëve të jashtme të BE-së kanë shprehur ngushëllim  të thellë për bashkëshorten e Navalnit, Julia Navalni, fëmijët e tyre, familjen, miqtë dhe të gjithë ata që "kanë punuar me të për të mirën e vendit të tyre". 

 Boreli tha se Navalni "guximshëm u kthye në Rusi" pas, siç pretendon, tentimi për atentat  me agjentin nervor Noviçok, i cili është i ndaluar sipas Konventës për Armët Kimike, nënshkruese e së cilës është edhe  Rusia.

Boreli kujtoi se BE-ja disa herë e ka dënuar  helmimin e Navalnit dhe "të gjitha aktgjykimet e motivuara politikisht kundër tij për shkak të aktiviteteve të tij legjitime politike dhe kundër korrupsionit, duke bërë thirrje për lirimin e tij të menjëhershëm dhe të pakushtëzuar" dhe se disa herë ka kërkuar nga Rusia që të sigurojë sigurinë dhe shëndetin. 

 Boreli vlerësoi se gjatë jetës së tij, Navalni kishte treguar "guxim të jashtëzakonshëm, përkushtim ndaj vendit të tij dhe bashkëqytetarëve dhe vendosmëri, me punën e tij kundër korrupsionit në të gjithë Rusinë", duke pretenduar se kjo është arsyeja pse "Putini dhe regjimi i tij kishin frikë prej tij", duke përfshirë edhe në kontekst të luftës në Ukrainë dhe zgjedhjet presidenciale në Rusi në mars të këtij viti.

 Foto: X

 

QËNDRONI TË LIDHUR