• e enjte, 26 dhjetor 2024

Boçvarski: Projektet infrastrukturore kapitale kyçe për zhvillimin e ekonomisë kombëtare

Boçvarski: Projektet infrastrukturore kapitale kyçe për zhvillimin e ekonomisë kombëtare

Shkup, 24 janar 2024 (MIA) - Projektet kapitale të infrastrukturës janë të një rëndësie kyçe për zhvillimin e ekonomisë dhe ky ka qenë udhërrëfyesi kryesor në krijimin e lëvizjes së investimeve kapitale nga Qeveria në mandatin e kaluar. Fokusi u vendos në ngritjen e nivelit të investimeve kapitale në vend, me qëllim të tejkalimit më efikas të krizës së imponuar nga epidemia e Kovid-it dhe kriza energjetike si pasojë e luftës në Ukrainë. Këtë e theksoi sot ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Bllagoj Boçvarski, në fjalimin e panel diskutimit në kuadër të konferencës dyditore vjetore "Viti i mundësive evropiane" të organizuar nga Qeveria dhe që mbahet në Shkup.

Boçvarski theksoi se shteti duhet të vazhdojë në rrugën e përcaktuar, duke rritur investimet kapitale për të mundësuar më shumë punë për kompanitë vendase dhe për të gjithë të tjerët që do të zgjidhen për të punuar në rrugët, hekurudhat, gazsjellësit e Maqedonisë...

"Nëse rreth dhjetë vjet më parë niveli i investimeve kapitale arrinte në rreth 260 milionë euro në vit, në vitin 2023 arriti në mbi 700 milionë euro, që do të thotë zhvillimi i shtetit, ndërtimi i rrugëve, hekurudhave, rrugëve lokale, gazsjellësit, ujit, tubacionet, kanalizimet, ndërtesat e banesave sociale dhe gjithë ajo që do të thotë zhvillim dhe jetë më e mirë për qytetarët. Këto shifra nuk po i themi vetëm si shifra por si projekte reale të dukshme në terren", tha ai.

Ministri theksoi gjithashtu se për Maqedoninë e Veriut si vend kontinental është thelbësore të zhvillojë dy korridoret evropiane. Sipas tij, është një sukses i madh që së bashku me Bullgarinë, Shqipërinë dhe Italinë, Korridori 8 u përfshi në hartën e korridoreve kryesore evropiane.

"Për ne është shumë domethënëse, pasi qëllimi ynë është që t'i ndërtojmë ato dy korridore... Kështu, ne e çojmë konkurrencën e shtetit në një nivel shumë më të lartë", tha ai.

Aspekti i dytë, sipas tij, është interkonektori për lidhjen e shtetit me gazin me Greqinë, një projekt për të cilin flitet prej shumë vitesh dhe tashmë është në proces procedura e tenderit dhe ka interes nga kompanitë për të hyrë në procedura dhe marrin pjesë në ndërtimin e tij. Boçvarski përkujtoi se dy gazsjellësit kryesorë për Manastir dhe Gostivar janë përfunduar, që është një hap shtesë në rrethana jashtëzakonisht komplekse.

"Ndërtimtaria në këtë periudhë po përjeton një rifillim. E them këtë për shkak të reformës së ndërtimit që po zbatojmë, përmes qasjes dhe parimit të ri të projektimit dhe ndërtimit që jep rezultatet e dëshiruara. Ky është shansi i vendit tonë që më në fund pas 30 vitesh pavarësi, të tregojmë se infrastruktura është në nivel prioritar", tha ai.

Ndër të tjera ai vuri në dukje mbështetjen e komunave me 70 milionë euro për realizimin e rrugëve lokale, për të investuar në një sistem efikas transporti në vend si parakusht për zhvillim.

"Kemi bërë rehabilitimin dhe ndërtimin e katër akseve rrugore deri në pikat kufitare... Është vënë në përdorim rruga Deve Bair-Kriva Pallankë, është inauguruar rruga Manastir drejt Mexhitlisë dhe në vjeshtë është rinovuar rruga nga Podmole deri në Strugë dhe Qafëthanë. Është përmirësuar lidhja në pjesën e komunikacionit me Shqipërinë, Greqinë dhe Bullgarinë dhe ju njoftoj se nesër do të nisim linjën Shkup - Bllacë dhe lidhjen me Kosovën", tha Boçvarski. sa/

foto/skrinshot

QËNDRONI TË LIDHUR